Përse fakulteti Histori- Filologji injoron urdhërin e rektorit për pagesë të tarifës me këste?
Një nga problemet më të mëdha për studentët këto kohë është pagesa e tarifës së studimeve. Nëse për programin Bachelor (3 vjeçar) tarifat shkojnë deri në 45.000 lekë, studentët e programeve master duhet të paguajnë nga 65.000 deri në 135.000 lekë të reja në vit.
Një ndryshim i bërë këtë vit akademik për studentët e programit Master, ishte detyrimi për të paguar njëherësh tarifën studentore brenda 31 janarit, apo përpara fillimit të sezonit të provimeve të semestrit të parë. Deri vitin e kaluar studentët kishim mundësi t’i paguanin studimet me dy këste.
Që prej protestës së studentëve tek Fakulteti i Shkencave Sociale, ku dhjetra studentë i vunë kyçin fakultetit, Rektori i Universitetit të Tiranës dha urdhër që të gjitha fakultetet të ndryshoninin vendimin. Pra të rikthehej mundësia që studentët të paguanin me këste.
Fakulteti i Shkencave Sociale, ai i Shkencave të Natyrës, Fakulteti Jurdik dhe ai i Gjuhëve të Huaja e kanë rihapur mundësinë e pagesës me dy këste deri në fund të vitit akademik. Por jo të gjitha fakultetet e morrën parasysh këtë urdhër.
Në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dekanit Shezahi Rrokaj, iu dërgua përpara disa ditësh një kërkesë nga studentët. Në të shkruhej: “duke qenë se për masën studentore është shumë e vështirë pagesa e tarifës së shkollimit për shkak të çmimit të lartë kërkojmë:
-për studentët e ciklit të parë të studimeve të kenë mundësi të paguajnë tarifën e shkollimit deri në fund të vitit akademik e të mos merren masa penalizuese (si mosfutja në provime);
– për studentët e ciklit të dytë të kenë mundësi të paguajnë deri në fund të studimeve”.
Kjo kërkesë e firmosur nga shumë studentë, nuk u mor parasysh nga dekanati. Sipas tyre, mundësi për të paguar tarifën me këste duhet të kenë vetëm studentët që kanë të dy prindërit të papunë. Pra studentët duhet të dorëzojnë një çertifikatë familjare ku vërtetohet se të dy prindërit janë të papunë dhe një kërkesë për të paguar me disa këste.
Praktikisht, një zgjidhje “fasadë” pasi kjo nuk e zgjidh problemin për shumicën e studentëve. Po studentët, familja e të cilëve jeton vetëm me njërin prind në punë, apo akoma më keq me njërin prind në punë me rrogë minimale? Si mund ta paguajnë tarifën prej mesatarisht 75.000 lekësh?
Po për studentët, familja e të cilëve ka dy ose tre fëmijë që shkollohen në universitet, si mund ta paguajnë tarifën?
Po për ata studentë që kanë zgjedhur të ndihmojnë familjen duke punuar dhe investuar vetë për shkollimin e tyre, si mund ta paguajnë tarifën kur rroga minimale në Shqipëri është 170 euro?
E pra për këta studentë (që me siguri përbëjnë shumicën), kjo nuk është aspak zgjidhje. Në rast se fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka probleme me buxhetin, atëherë duhet ta kërkojë zgjidhjen diku tjetër e jo tek studentët.
/m.g