Ditën e djeshme, zyra e Parlamentit Europian miratoi rregulla të reja mbi praktikat e punës, duke ndaluar prej korrikut praktikat e papaguara në zyrat e deputetëve europianë. Ky vendim është një fitore për aktivistët për të drejtat e praktikantëve. Grupi i të Rinjve në Parlamentin Evropian ka kohë që po bën thirrje për praktika të ndershme. Sipas një sondazhi, 1/4 praktikantë në zyrat e MEP në Parlamentin Evropian paguhen më pak se 600€ dhe 8% e tyre janë të papaguar.
Zyra e Parlamentit Europian ka miratuar rregulla të reja në lidhje me të trajnuarit në zyrat e deputetëve europianë, duke ndjekur parimet kyçe të miratuara korrikun e kaluar. Në të ardhmen, të trajnuarit do të punësohen drejtpërdrejt nga Parlamenti Europian, do të mbulohen sigurimet shëndetësore dhe do të paguhen diku mes 800€ dhe 1313€ në muaj, duke përmirësuar në mënyrë drastike kushtet aktuale të praktikantëve në Parlamentin Europian. Si të diplomuarit, ashtu dhe studentët do të kenë mundësinë të ndërmarrin praktika në Parlamentin Europian për një periudhë nga 6 javë deri në 5 muaj, me afat maksimal deri në 9 muaj. Përveç kësaj, deputetët e parlamentit mund të ofrojnë vizita studimore për një kohëzgjatje maksimale prej 6 javësh dhe të ofrojnë praktika në vendin e tyre sipas legjislacionit kombëtar. Këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi me fillimin e mandatit të ri në korrik të këtij viti.
Dy vite më parë, Intergrupi i të Rinjve publikoi rezultatet e një studimi me fokus praktikantët në zyrat e Parlamentit Europian dhe grupet politike. Ky studim, nxorri në sipërfaqe një problem të rëndësishëm me cilësinë e ulët të praktikave të ofruara në Parlamentin Europian. Ata nisën një fushatë për të ndryshuar rregullat e brendshme të parlamentit. Deputeti Tomas Zdechovsky, bashkëkryesues i Intergrupit të të Rinjve: “Ne kemi punuar shumë për ta marrë çështjen në agjendën e Byrosë dhe jemi të lumtur të shohim se është marrë një vendim para përfundimit të mandatit. Ne shpresojmë që institucionet e tjera evropiane ta ndjekin me shpejtësi kët nismë.
Deputeti Brando Benifei, bashkëkryesues i Intergrupit të të Rinjve tha: ‘’Ky vendim është në përputhje me kërkesat tona, të cilat janë mbështetur nga mbi 140 deputetë. Parlamenti Europian më në fund do të japë shembullin e tij. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar situatën për të gjithë të rinjtë. Shumë syresh, janë të ngecur në spiralen e stazhit dhe formave të tjera jo-standarde të punës. Duhet bërë më shumë punë. Kompanitë dhe qeveritë kombëtare duhet të rrisin stekën e tyre për të siguruar praktika cilësore. Në nivel europian, Komisioni Europian duhet të vlerësojë ndikimin e ‘Kornizës së Cilësisë për Trajnimet’ dhe të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për ta zbatuar atë. ”/l.k/