Numri i studentëve që zgjedhin Qytetetin Studenti, ulet nga viti në vit
Numri i studentëve që zgjedhin të akomodohen në Qytetin Studenti sa vjen e ulet. Sot ka filluar viti i ri akademik dhe sipas drejtoreshës së QS, Anila Shehu, numri i të është rreth 2500 studentë, por sërish poshtë pritshmërive dhe kapaciteteve që ka kjo qendër rezidenciale.
Drejtoresha e QS-së, pohon se megjithëse mbetet jo shumë e preferuar për banim, krahasuar me një vit më parë, vërehet një rritje e numrit të meshkujve, që duan të jetojnë në konvikt.
“Regjistrimet kanë filluar që më datë 1 shtator. Të interesuarit kanë shlyer edhe detyrimet për këtë vit akademik, ndërsa më datë 12 tetor nis jeta e re për ta në ambientet që ofron qendra rezidenciale “Qyteti Studenti”.
“Këtë vit ka rritje të numrit të djemve të regjistruar në konvikte. Kemi 2500 të regjistruar nga 5000 që është kapaciteti, gati gjysma, por me nisjen e studimeve të ciklit të dytë, master, presim që numri i të regjistruarve të rritet sërish”, sqaroi Shehu.
Pagesa e strehimit edhe këtë vit akademik mbetet e pandryshuar, përkatësisht 45 mijë lekë, por për të lehtësuar procedurat, Shehu thotë se studentët mund të përdorin një aplikacion të ri online për të zgjedhur godinën, dhomën dhe bashkëjetuesit.
Preferenca e ulët për një dhomë në konvikt është një trend në rritje prej vitesh për shkak të mungesës së investimeve dhe kushteve jo shumë të mira. Por sipas drejtoreshës nga viti që vjen, një fond prej 4.5 milionë eurosh, i akorduar nga qeveria gjermane do të sjellë ndryshimin që pritet, me shpresën se pas kësaj, numri i të regjistruarve do të rritet.
“Qeveria gjermane, kancelarja Merkel, i kanë bërë dhuratë Qytetit Studenti 4.5 milionë euro dhe ne jemi duke punuar me KFV për ta vënë në jetë atë rikonstruksion të pritshëm prej vitesh në Qytetin Studenti. Jemi në rrugë të re, shpresojmë që vitin që vjen të fillojë rikonstruksioni i dy godinave. Ne tani kemi një masterplan të ri, e kemi më të lehtë se kemi plan rregullues dhe mbi të zhvillojmë kampusin e vërtetë të Tiranës”, vijoi Shehu.
Por deri atëherë, sipas ritmeve, numri i studentëve që do të frekuentojnë QS-në do vijë në ulje, dhe ata që do ta zgjedhin, do të vazhdojnë të jetojnë në kushte jo të kënaqshme./m.g
Burimi: Gazeta Shqip