Nikolla:”Ligji i ri ju afron me tregun e punës”; Reagojnë studentët: “Gënjeshtra të një teatri absurd”
Gjatë një takimi me studentë të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ka folur edhe për ligjin e ri të arsimit të lartë, duke thënë se ky ligj u siguron studentëve afrimin me tregun e punës:
“Duke kthyer sytë nga arsimi i lartë, japim garanci për Shqipërinë europiane. Shqipëria kërkon që brezi i ri të zhvillojë arritjet e tij e t’i përshtatë me tregun e punës . Arsimi duhet të jetë cilësor, ligji i ri ju afron me tregun e punës “, – u shpreh ajo.
Nuk ka vonuar përgjigja nga ana e aktivistëve të lëvizjes studentore “Për Universitetin” të cilët i quajtën fjalët e ministres gënjeshtra të një teatri absurd.
Ata e përgënjeshtrojnë faktin se ligji i afron studentët me tregun e punës, duke argumentuar se ende nuk ka asnjë studim të tregut që të tregojë lidhjet e tij me arsimin:
“Pastaj, përkundër pretendimeve të ministreshës, në reformën per arsimin e larte nuk ka patur asnje studim për tregun e punës dhe as për lidhjen e tij me arsimin.
Ministresha dhe gënjeshtrat e saj nuk duhen lënë të kalojnë në asnjë universitet, por të demaskohen me të madhe.”,- thuhet në deklaratën e lëvizjes “Për Universitetin” në Facebook.
Ata nuk i kursyen kritikat as për Universitetin e Elbasanit, duke e quajtur atë të korruptuar dhe të sunduar nga ministrja dhe mbrojtësit e saj:
“Së pari, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, të cilin sundon shoqnia e ministreshës dhe mbrojtësit e mëdhenj të reformës, është ndër më të korruptuarit, dhe në vënd që të merret me problemet reale të tij, bën batuta lart e poshtë, mban fjalime simbolike e të bukura pa kurrëfarë përmbajtjeje konkrete.
Së dyti, prej të qënit universitet periferik, mundësia që studentët e diplomuar të punësohen është mjaft e vogël. Kjo për shkak të performancës së dobët pedagogjike dhe korrupsionit të drejtuesve burokratikë, që e kanë kthyer universitetin në pronë private.”- vijon më tej deklarata.
/l.k./