Ministria e Arsimit “harron” studentët nga trojet
Ministria e Arsimit, nuk ka publikuar ende listat e fituesve për ciklin e dytë të studimeve (master), për kandidatët nga trojet. Pavarësisht se janë nxjerrë kuotat përkatëse dhe data se kur duhet të ishin publikuar fituesit, kjo gjë nuk ka ndodhur akoma.
Në redaksinë e “Historia Ime” ka ardhur një ankesë për mos publikimin e listave fituese nga ana e MAS, pavarësisht se viti akademik tashmë ka filluar.
Sipas një njoftimi zyrtar në faqjen e ministrisë, brenda datës 16 nëntor 2015 MAS duhet të kishte nxjerrë listën e kandidatëve të përzgjedhur.
Gjithashtu në njoftim thuhet se nga data 16 – 20 nëntor, studentët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja duhet të kishin kryer regjistrimet pranë sekretarive të fakulteteve.
Regjistrimet nuk kanë nisur ende pasi ministria e Arsimit nuk i ka publikuar listat, edhe pse tashmë kanë kaluar 2 javë nga fillimi i vitit akademik 2015-2016 për ciklin e dytë të studimeve.
Në ministrinë përgjegjëse, thuhet se arsyeja është dyndja e madhe e studentëve nga trojet, ndërsa në sekretarinë e një prej fakulteteve në Tiranë, thuhet se ky problem është i përvitshëm dhe studentët presin deri në janar për përgjigjet.
/m.g