Lëvizja “Për Universitetin”: Fryma e ligjit nuk garanton autonomi
Lëvizja për universitetin ka përshëndetur vendimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për të kthyer ligjin e arsimit të lartë. Ata theksojnë se rezistenca vazhdon dhe në vjeshtë do të vijohet me protesta masive, për të penguar ligjin e ri.
Edhe njëherë ata kanë paraqitur pikat që kontestojnë në ligj. Anëtarët e lëvizjes për universitetin deklarojnë se ky ligj vë ne qendër shtetin dhe jo universitetin, humbet autonomia universitare.
“Fryma mbi bazën e të cilit është konceptuar dhe ndërtuar ligji, duket se nuk garanton autonominë e arsimit të lartë. Ligji është i bazuar në qasjen etatiste, pra është shteti në qendër, jo universiteti dhe studentët”, thuhet në reagimin e tyre.
Gjithashtu, ata theksojnë se përmes këtij ligji rrezikohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj.
Në të parashikohet që studentët duhet të paguajnë pesë lloj tarifash si: tarifa e aplikimit, tarifa e konkurrimit, tarifa e regjistrimit, tarifa e shkollimit, tarifa e studimit.
“Nuk përmban rregullime në lidhje me kufirin minimal dhe maksimal të tarifave që do të vendosen nga IAL-të dhe nuk vendos as kritere bazë mbi të cilat do të orientohen më pas IAL apo edhe KM në përcaktimin e tarifave. Nuk është e qartë për studentët dhe familjarët e tyre sesa do të jetë tarifa që do të duhet të paguajnë gjatë viteve të shkollimit të tyre, duke përfshirë ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në Arsimin e Lartë”, nënvizohet në reagimin e Lëvizjes.