Forumi Rinor i UNESCO-s, për herë të parë pjesëmarrëse edhe Shqipëria
Ka përfunduar dje në Stamboll Forumi Rinor i Trashëgimisë Botërore si pjesë e sesionit të 40-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore së UNESCO-s. Ky forum është ndër aktivitetet kryesore të programit të edukimit të Trashëgimisë Botërore për mësime ndërkulturore, nxitjeje dhe shkëmbimi duke bërë bashkë studentë, profesionistë të rinj dhe ekspertë të Trashëgimisë Botërore nga 26 shtete pjesëmarrëse.
Për herë të parë në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga Elsa Myftaraj, studente master në Fakultetin e Historisë. Elsa është gjithashtu një prej pjesëmarrësve të Shkollës Verore “Multimedia dhe Aktivizmi 2015”.
Përfaqësuesit kanë marrë pjesë në seminare, në forum, vizita dhe Hands on Work, aktivitete dhe diskutime për perspektiva të reja në lidhje me rëndësinë e edukimit dhe vullnetarizmit në mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Forumi, ka për qëllim të propozojë dhe të paraqesë sugjerimet e pjesëmarrësve të rinj duke zbuluar sfidat, kompleksitetet dhe potencialin e vendeve dhe duke rritur ndërgjegjësimin, për të bërë të rinjtë të marrin rol aktiv në mbrojtjen e trashëgimisë.
Një moment i veçantë gjatë aktivitetit iu kushtua Shqipërisë, ku përveçse u bë prezantimi i trashëgimive boterore si Butrinti, Berati dhe Gjirokastra, u prezantuar dhe fushata e ministrisë së Jashtme #VisitAlbania.
/m.g/