5 arsyet e Ministrisë së Arsimit për të qenë kundër grevës së studentëve
Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka reaguar me një deklaratë ku mban qendrim kundër grevës së studentëve. Bëhet fjalë për një numër studentësh të Fakultetit të Infermierisë, të ardhur nga universitet private të mbylluar në fillim të këtij viti universitar.Arsyeja e parë sipas MAS, është nxitja politikisht e këtyre studentëve. Gje që e bën grevën jo të “pastër” nga ana e studentëve.
“ Të ardhur nga universitet grupi i yshtur politikisht, tashmë edhe publikisht, janë studentë të institucioneve që i’u hoq licenca në korrik të vitit 2014. Ndërsa këta që u vunë në kor për ti qarë hallin, janë të njëjtët që i licencuan kundër ligjit, dhe i lanë të funksionojnë jo vetëm kundër ligjit por kundër çdo lloj arsyeje minimale. Këta që i qajnë hallin janë ata që i lanë institucionet të ndërrojnë diploma me këpucë të përdorura, apo dru zjarri.”
Së dyti, në deklaratë thuhet se duke qenë se studentëve iu dha një shans i dytë, jo i barabartë me studentët e shtetit, nuk mund të paguajnë të njëjtën tarifë.
“ Këtyre studentëve ju dha një shans i dytë për të vijuar studimet e tyre edhe në Universitet Publike. Jashtë sistemit të meritës, pa konkurrim si studentet e tjerë. Një shans që i’u dha në emër të përgjegjshmërisë shtetërore, përgjegjësi që ishte e atyre që sot janë bërë për tu qarë hallin. Por kjo mundësi nuk mund të vinte me kosto ekstra për taksapaguesin shqiptarë. Këta studentë paguanin një tarifë të lartë në IAL-të private dhe s’kishte arsye pse këtë tarifë tani ta mbarte qytetari Shqiptar. Do ishte e padrejtë edhe ndaj qindra studentëve ekselentë që për pak pikë nuk kanë mundur të regjistrohen në këto degë, ndër më të kërkuarat në vend.”
Aryseja më e rëndësishme është fakti se studentët ishin të njohur me pikat e kontratës, dhe kushtet që duhej të plotësonin për të vazhduar studimet në shtet. Ndaj sipas MAS nuk ka arsye për këtë grevë, e aq më pak në periudhë sezoni (?!)
“ Studentët në fjalë, i kanë ditur shumë mirë kushtet me të cilat do të transferoheshin që nga viti i kaluar dhe kanë shprehur falënderimin ndaj MAS për gjithë ndihmën e dhënë”.
“Së katërti, ashtu siç kemi bërë në çdo hap gjatë dhe pas mbylljes së universiteteve të paligjshme, ashtu siç bëmë gjatë debateve për kuotat dhe tarifat, ashtu siç bëmë dhe do vazhdojmë të bëjmë gjatë gjithë reformës, Ministria i është gjendur pranë çdo studenti. Kemi komunikuar me çdo kënd, për ti shpjeguar në detaje dhe me durim çdo vendim. Kemi takuar dhe komunikuar edhe me studentët në fjalë.”
Së fundmi, MAS thotë se mbeten të vendosur në rrugën e reformës së arsimit në vend dhe nuk do të lejojnë që askush të marrë peng zhvillimin. Procesi mësimor në Universitetin Publik nuk mund të mbahet peng nga askush. As nga partitë politike, as nga ata që përdoren nga partitë politike. Në universitetet publike studiojnë mijëra studentë, të cilët kanë të drejtën e tyre për mësimdhënie cilësore dhe të pandërprerë. E drejta e protestës është e drejtë e çdo kujt, por ajo nuk mund të ushtrohet duke cenuar të drejtat e të tjerëve.