Një gënjeshtër me gjyqe imagjinare

Me shumë bujë Akil Pano lajmëroi të premten se ka fituar një gjyq “për të mbrojtur familjen”.
“Sot fitoi Mami dhe Babi kundër Prindi 1 dhe Prindi 2.” – shkruajti Pano në rrjetet sociale.
Por siç është thënë edhe më herët, Pano ka shpifur në vazhdimësi mbi objektin e çështjes në gjykim.
Asnjë gjykatë në Shqipëri nuk ka shqyrtuar kërkesa pro ose kundër ndërrimit të emrave “nënë” dhe “baba” në “prindi 1” dhe “prindi 2”. Një gjë të tillë nuk është kërkuar kurrë nga komuniteti LGBTQ+ në Shqipëri.
E vërteta është se, Akil Pano ka zhvilluar një gjyq kundër Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për shkak se ky institucion me vendimin nr.217 datë 15.11.2021 ka konstatuar se pastori ka përdorur gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+.
Pastori thjesht ka apeluar në gjykatë një vendim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pasi ai është gjetur se ka përdorur gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+ në disa emisione televizive.
Për më tepër komisioneri e thekson qartë në vendimin e tij se, vendimi nuk ka të bëjë me termat “prindi 1” dhe “prindi 2”
Gjithsesi në dokumentin më poshtë mund të gjeni qartë padinë e dy nënave të komunitetit LGBTQ+ në lidhje me kërkesën për regjistrim të dy bebeve të tyre.

Dy nënat në asnjë rrjesht të kërkesës së tyre nuk kërkojnë që të quhen “prindi 1” dhe “prindi 2”, ato në Gjykatë kanë kërkuar në vazhdimësi njohjen e bashkëmëmësisë, çështje e cila është në gjykim nga Gjykata e Lartë e Shqipëri.
Këtu mund të gjeni të gjithë shpjegimin dhe gënjeshtrën e fitores së gjyqit kundër “prindit 1” dhe “prindit 2” të Akil Panos./ HistoriaIme