Disa nga kryeqytetet dhe qytetet më të mëdha të Ballkanit dhe Evropës Jugore po përballen me ndotje në nivele alarmate të ajrit.
Në Beograd, Shkup e Sarajevë ndotja e ajrit po kthehet në shqetësuese, duke arritur nivelet e qyteteve industriale në Kinë.
Ndalimi i përkohshën në qarkullimin e makinave me naftë është urdhëruar në Romë, në përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, ndërsa Torino dhe Bolonja gjithashtu kanë paralajmëruar masa të ngjashme.
Ndalesat, që do të zbatohen në tri ditët e ardhshme, pritet të prekin rreth 1 milion makina.
Në Bosnje-Hercegovinë, protestuesit kanë dalë nëpër rrugë me maska duke kërkuar që qeveria të marrë masa.
Kjo pasi, ambientalistët e kanë përshkruar këtë situatë si emergjente.
Sarajeva është mes qyteteve me shifrat më të larta të ajrit të ndotur, e përcjellë nga kreyqytetet e Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Serbi, ku qeveria ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme të mërkurën, banorët janë udhëzuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të anashkalojnë aktivitetin fizik.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ka thënë se ngrohja me dru dhe qymyr dhe makinat e vjetra janë shkaktarë të këtyre niveleve të ndotjes.
Ajo ka thënë se masat për ta luftuar këtë çështje do të përfshijnë kontrollet më të ashpra të emetimeve të makinave./Evropa e Lirë