Zjarret e pyjeve duket se po ndodhin me një shpeshtësi të shtuar dhe po zgjasin gjithmonë edhe më gjatë, duke na sjellë pamje tronditëse si ato të ditëve të fundit nga Australia.
Mijëra ekosisteme po shkatërrohen me ritme alarmante, nga djegia e Amazonës, te zjarret e shtuara gjatë muajve të verës në Evropë e deri te Australia e largët. Nga zjarret e fundit në Australi, raportohen rreth 20 të vdekur, 400 milionë kafshë të ngordhura dhe 60,000 kilometër katrorë (6 milionë hektarë) sipërfaqe pyjore e djegur vetëm gjatë javës së shkuar.
Zjarret që filluan të shfaqen në Uellsin Jugor gjatë shtatorit, janë rritur duke krijuar krizën më të keqe të zjarrit në rajon, që nga viti 2003. Edhe pas disa reshjeve të shkurtra të shiut, që sollën një qetësim të përkohshëm gjatë ditës së djeshme, shumë vatra mbeten ende të pashuara. Zakonisht, sezoni i zjarrit në Australi arrin kulmin në mes të janarit.
Sistemi i Monitorimit Atmosferik të Kopernikut (CAMS), i cili gjurmon emetimet e zjarrit në të gjithë botën, raportoi mbi 1.600 zjarre në vitin 2019 në territorin evropian, gati tre herë më shumë se mesatarja e dekadës.
Raste të shtuara të zjarreve pati dhe në pyjet në Siberi dhe ato përgjatë rrethit arktik në muajt e verës, duke djegur sipërfaqe të mëdha me 100,000 fusha futbolli.
Në SHBA perëndimore, si numri i zjarreve ashtu edhe sasia e tokës së djegur janë rritur vazhdimisht që nga vitet 1950, sipas NASA, ndërsa mega-zjarret që djegin mbi 40,000 hektarë tokë, shfaqen në shifra rekord vetëm duke filluar nga vitet 1970.
Me ritme të tilla përhapjeje dhe rritje të shpeshtësisë, një nga sfidat më të mëdha të ndryshimeve klimatike në vijim priten të jenë dhe zjarret në pyje, që favorizohen nga klima e thatë dhe e nxehtë e cila sa vjenë dhe bëhet më e gjatë dhe e qëndrueshme në shumë vende të Evropës.
Pasojat ne shendet
Ekspozimi ndaj tymit të shkaktuar prej zjarrit, dhe veçanërisht ekspozimi afatshkurtër ndaj grimcave, të dioksidit dhe monoksidit të karbonit krijon një gamë të gjerë të problemeve të frymëmarrjes dhe zemrës, që mund të zgjasin për një kohë të gjatë.
Qindra mijëra vdekje në vit shkaktohen prej tymit dhe ekspozimit ndaj këtyre grimcave ndotëse, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Gjatë vitit 2019, grimcat e pezulluara të lindura nga zjarri (PM 2.5) shtuan nivelin e ndotjes së ajrit në Spanjë, Francë, Himalaje dhe shumë rajone të tjera, sipas të dhënave të instituteve ndërkombëtare të monitorimit të ndotjes.
Ndotja nga grimcat PM2.5 shkakton midis 10,000-30,000 vdekje të parakohshme çdo vit në SHBA, sipas një studimi të fundit, ku studiuesit parashikojnë që numri ka të ngjarë të dyfishohet deri në fund të shekullit, në krahasim me fillimin e viteve 2000.
Në 11 muajt e parë të vitit 2019, zjarret lëshuan rreth 6.735 megaton dioksid karboni (CO2) globalisht, sipas monitorimit të kryer nga CAMS. Maksimumi u arrit në muajin korrik, me 140 megaton CO2 të emetuar nga zjarret e Artikut, që llogaritet afërsisht sa prodhimi i karbonit i emetuar nga përdorimi 36 milion makinave njëkohësisht.
Burimi i fotos: NASA Earth Observatory
Burimi i të dhënave: Euronews/Copernicus