Zgjedhjet në Gjermani/ Humbje dramatike e partisë së Merkel

Partia e Kancelares gjermane Angela Merkel, CDU ka humbur në mënyrë dramatike zgjedhjet e së dielës.
Sipas rezultateve të bëra të ditura nga drejtuesi federal për zgjedhjet të hënën në mëngjes, zgjedhjet e Bundestagut i kanë fituar socialdemokratët më 25,7%, kurse Unioni konservator i CDU/CSU-së renditet i dyti me 24,1%. Të Gjelbrit renditen të tretët me 14,8%, të ndjekur nga FDP-ja me 11,5% dhe partia populiste e djathtë, AfD me 10,3%. E Majta arriti vetëm 4,9% të votave, dhe nuk kalon kuotën e 5%, por për shkak se arriti të marrë tre mandate të drejtpërdrejta, hyn në fuqi klauzola bazë e mandateve, kjo nënkupton që e Majta do të hyjë me 39 deputetë në Bundestag, sipas Deutche Ëelle.
SPD-ja sipas këtyre të dhënave arrin të marrë 209 vende në parlament, kurse CDU-ja 151, CSU-ja 45, Unioni arrin së bashku 196 mandate. Të Gjelbrit kanë 118 deputetë në Bundestag, FDP-ja 92 dhe e AfD-ja 83. Pas shumë kohësh sërish një vend në Bundestag e merr edhe Shoqata e Zgjedhësve të Shlesvigut Jugor, sepse për partinë e pakicës së danezëve dhe frizëve nuk vlen kuota e 5% dhe klauzola e mandateve bazë.
DË shkruan se koalicionet e mundshme nga ana matematikore do të ishin një koalicion i SPD-së, Të Gjelbërve dhe liberalëve me 416 mandate, si edhe një aleancë e Unionit, Të Gjelbërve dhe liberalëve me 406 mandate. Për një koalicion SPD, E Majta dhe Të Gjelbrit nuk mjaftojnë votat./ HistoriaIme