Vrasësi serial më vdekjeprurës i Gjermanisë pas luftës: infermieri pranon vrasjen e 99 pacientëve

Një infermier gjerman pranoi në gjykatë të martën se kishte vrarë 99 pacientë me injeksione vdekjeprurëse, në mënyrë që të mund të luante heroin duke u përpjekur për t’i ringjallur ato. Bilanci i viktimave e kthen atë në vrasësin serial më vdekjeprurës të Gjermanisë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Kur gjykatësi Sebastian Buehrmann i kërkoi 41-vjeçarit Niels Hoegel të verifikonte akuzat, ai u përgjigj me besim duke shtuar se: “Gjithçka që kam deklaruar është e vërtetë”, raporton Reuters. Hoegel fshehu fytyrën e tij pas një dosjeje plastike blu kur u përcoll për në sallën e gjyqit në qytetin verior të Oldenburg nga policia dhe avokati i tij.
Ai aktualisht është i dënuar me 15 vite burg që prej vitit 2015, pasi ai u gjet fajtor për vrasjen e dy pacientëve me injeksione vdekjeprurëse. Në janar, prokurorët ngritën akuza të reja kundër tij për vrasjen e 97 personave të tjerë. Pranimi i tij nuk do t’i japë fund gjykimit, në të cilin familjet e viktimave shpresojnë të zbulojnë më shumë informacion rreth krimeve.
“Ne duam që ai të marrë dënimin që ai meriton”, tha Frank Brinkers, babai i të cilit vdiq nga një mbidozë e administruar nga Hoegel. “Kur të përfundojë ky gjyq, ne duam ta hedhim gjithë këtë gjë pas nesh dhe të fillojmë nga e para”.
Prokurorët e qytetit verior të Oldenburg thonë se hetimet dhe raportet e toksikologjisë treguan se ai injektoi 35 vetë në një klinikë në Oldenburg dhe 62 viktimat e tjera në një tjetër klinikë në Delmenhorst, me barna vdekjeprurës./ k.j