Vizita historike e Kryeministrit grek në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka nisur të martën një vizitë historike në Maqedoninë e Veriut, e cila është e para e një lideri grek, që kur vendi ka shpallur pavarësinë në vitin 1991.
Dy shtetet fqinje, kanë nënshkruar marrëveshjet e para të bashkëpunimit pas Marrëveshjes së Prespës ku u vendos ndryshimi i emrit për Maqedoninë e Veriut dhe heqja e vetos nga ana e Greqisë për integrimin e fqinjit verior në strukturat euro-atlantike. Tashmë të dyja vendet po përpiqen që të forcojnë marrëdhëniet mes tyre të cilat ishin të ftohta për gati 3 dekada, me Kryeministrin grek që po viziton Shkupin i shoqëruar me dhjetëra ministra e biznesmenë grekë.
Kryeministri grek u shoqërua nga 10 ministra të kabinetit dhe më shumë se 100 drejtues grekë të biznesit. Të dy kryeministrat kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh përpara se të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Zaev foli për homologun e tij, duke iu referuar si një “mik i ngushtë personal”.
Marrëveshja e Prespës hyri në fuqi në shkurt, pas ratifikimit nga të dy parlamentet. Tsipras tha se vizita historike filloi me kalimin e Autostradës së Miqësisë, emri i të cilit u ndryshua nga autostrada Aleksandri i Maqedonisë në shkurt 2018, si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet.
Të dy udhëheqësit thirrën këshillin e parë të bashkëpunimit midis fqinjëve dhe ata ranë dakord të hapnin një kalim të dytë kufitar, por Tsipras pranoi se një pjesë e konsiderueshme e popullit grek ishte ende është shumë i shqetësuar për këtë çështje. Një sondazh i opinionit në fund të muajit të kaluar sugjeroi që 73 për qind e grekëve nuk ishin dakord me marrëveshjen e Prespës.
Tsipras tha se ai dhe Zaev kishin një përgjegjësi për të treguar se si të dy vendet mund të ndërtonin besimin reciprok dhe të përfitonin nga marrëveshja e re. Të dy udhëheqësit janë përballur me opozitë të vështirë politike, për shkak të marrëveshjes.
Ndërkohë që të dy shtetet po përgatiten për zgjedhje, Presidencialet në Maqedoninë e Veriut dhe ato për Parlamentin Evropian në Greqi, të dy kryeministrat deklaruan mirëkuptimin dhe bindjen e plotë për plotësimin e kushteve të marrëveshjes deri në fund dhe vazhdimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike e politike, si zgjidhjen e vetme për zhvillimin e rajonit brenda familjes së përbashkët evropiane./k.j
Burimi:Panorama