Video/ “Catch a Smile Day” në Shqipëri, të rinjtë u rrëmbejnë buzëqeshje kalimtarëve në rrugë
Edhe këtë vit, disa qytete të Shqipërisë si Fieri, Vlora, Durrësi dhe Puka organizuan Ditën e Buzëqeshjes.
“Catch a smile day”, një aktivitet i mbajtur për herë të parë në Cluj Napoca , Rumani nga një organizatë jo fitimprurëse e quajtur “Beard Brothers”, tani është kthyer në traditë e organizohet çdo vit më datë 7 gusht. Nismëtarët e këtij aktiviteti në Shqipëri janë Enxhi Rista dhe qendra rinore Epoka e Re në Fier.
Këtë vit qendra Epoka e Re Fier kërkoi zgjerimin e këtij aktiviteti përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme në qytete të tjera të Shqipërisë.
Çfarë ndodh në Ditën e Buzëqeshjes?
“Catch a Smile Day” inkurajon njerëzit që kalojnë në rrugë të buzëqeshin duke bërë diçka të këndshme për t’i “rrëmbyer” një moment të gëzuar. Duke i dhënë një lule, një ëmbëlsirë, një tullumbace ose një mesazh që të mbush ditën me lumturi.
Të rinjtë e qendrës Epoka e Re punuan shumë për të krijuar bazën materiale e cila konsistonte në: smile stickers, kartona me mesazhe, lule prej letre, tullumbace, lëpirëse si edhe një kënd me “face painting”.
Aktiviteti u shty disa ditë për shkak të motit të keq dhe u mbajt më 12 gusht, ditë kjo që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Mëngjesin e datës 12 të rinjtë e qendrës pushtuan pedonalen e qytetit të Fierit duke dhuruar mijëra mesazhe të mbushura me dashuri, përqafime, tullumbace dhe lëpirëse për fëmijët. Në dy orët e qëndrimit në pedonale u mblodhën shumë buzëqeshje.
I gjithë aktiviteti u filmua nga Enxhi Rista dhe u realizua ky klip që prezanton gjithë ecurinë e projektit:
*Enxhi Rista
/l.k./