Veliaj: “ Shpenzojmë 50 euro për një qen rruge”, por në klinikë kafshët vriten dhe hidhen në Sharrë
“Ne vetëm një ditë, menaxhimi i vetëm një qeni rruge na kushton 50 euro”, tha dy ditë më parë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”.
“Kostoja e sterilizimit, vaksinimit dhe mbajtjes tre ditë në spitalin e kafshëve”, u korrigjua më pas Veliaj duke shtuar se Tirana ka 15.000 qen dhe e ftoi gazetarin të llogariste kostot.
Koston e trajtimit të qenve të rrugës, Veliaj e përmendi si një nga shumë shpenzimet e Bashkisë, që sipas tij mund të mbulohen vetëm duke taksuar ata që ndërtojnë kulla në Tiranë.
Por, një investigim i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve ARSA dhe ambientalistit Sazan Guri, i publikuar dje në emisionin “Stop”, tregoi një realitet të ndryshëm nga ai që përmendi Veliaj për kafshët e rrugës.
Klinika e Bashkisë, institucioni që ka marrë përsipër mbrojtjen e tyre duket se është kthyer në “Aushvicin” e qenve endacakë.
Një kamionçinë e bashkisë, e mbushur me qese të zeza plehrash, dhe brenda tyre trupat e pajetë të qenve endacakë, të cilët sipas z. Sazan Guri janë injektuar me acid baterish në klinikën veterinare të bashkisë. Kufomat e tyre shiheshin qartë në video se si po dekompozoheshin në ajër të hapur, pasi landfilli nuk është i mbuluar.
Mirë që nuk kanë respekt për kafshët, të cilat minimumi duhet të groposeshin, por këtu mungon edhe kujdesi ndaj njerëzve. Nëpërmjet këtyre kufomave mund të përhapen shumë sëmundje. Sipas Z. Guri, Tirana ka pasur 11.000 qenë endacakë, dhe sot pas kësaj fushate shfarosjeje, numërohen diku tek 200 – 300 qenë endacakë.
Ndërkohë, vetë kryebashkiaku i Tiranës, Z.Erion Veliaj në Konferencën Botërore të shëndetit të kafshëve në vitin 2016, në kuadër të Ditës botërore për kafshët e rrugës ka thënë se vrasja apo helmimi i tyre nuk është zgjidhje.
Ai ka këshilluar edhe qytetarët e thjeshtë që zgjidhjet e shpejta(d.m.th. vrasja apo helmimi), që në dukje të japin idenë e parë sikur mbarojnë punë dhe e zgjidhin këtë problem, janë totalisht joproduktive.
Tani na ka mbetur edhe një pyetje e fundit për zotin kryebashkiak, sa shkon kostoja helmit dhe transporti deri në landfillin e Sharrës për një qen?/A.A.