“Vajzë apo djalë, mos më pyesni kë pëlqej më shumë!”

Rrëfimi i Besartit, një biseksual në Tiranë
Nga Isa Myzyraj
23 shtatori është dita ndërkombëtare e Vizibilitetit të Biseksualëve.
Grupimi me shkronjën “B” në akronimin LGBTI+.
Historia Ime ka biseduar me Besartin* një person biseksual 26-vjeç, i cili na sjell rrëfimin e tij.
Historia Ime: Besart le t’ia nisim nga fillimi, kur e identifikove veten si një person Biseskual?
Besarti: Ka qenë shumë vonë në fakt. Ideja është se unë kam qenë një person biseksual mendoj gjithë jetën, por duke qenë se vij nga një zonë e thellë, dhe ku edukimi për seksualitetin ka munguar historikisht, nuk dija t’i vendosja një emër.
Kur isha në gjimnaz për shembull unë isha i lidhur me një vajzë, por në vitin e dytë mua më pëlqente një shok imi. Në atë kohë nuk e dija mirë se çfarë po ndodhte, as që e mendoja gjatë sepse nuk kisha informacion. Duke qenë në një zonë të thellë ku diskriminimi është masiv, dhe personat e komunitetit LGBTI+ quhen “pederast” kisha ndoshta edhe një ndenjë frikë ndonjëherë, mos isha “pederast” sepse e mendoja si diçka jo normale, si diçka të pakonceptueshme.
Historia Ime: Po më pas çfarë ndodhi, cili ishte kontakti yt i parë me komunitetin LGBTI+, si ndodhi?
Besarti: Pasi mbarova shkollën e mesme unë erdha në Tiranë. Sigurisht këtu nisa duke njohur njerëz pafund, krijova miqësi me student anembanë Shqipërisë, dhe sigursht nisa të mësoja më shumë për komunitetin LGBTI+. Në biseda mes miqsh kisha dëgjuar për “komunitetin LGBTI+” herë pas herë hapja internetin për të mësuar më shumë, derisa mora guximin dhe dola në një takim me një djalë.
Fatmirësisht kjo ndodhi në javët e para të shkollës së lartë, ai ishte më i madh sesa unë, dhe duhet ta them se më mësoi shumë gjëra. Në biseda të gjata me të unë e identifikova veten si biseksual. Dhe në fakt mendoja se biseksualiteti është i ndarë si me thënë me grupimin tjetër LGTI+, (qesh) por kuptova që të gjithë jemi krah për krahë dhe mbi të gjitha e hoqa mendimin se po më ndodhte diçka e pazakonshme, ishte krejt normale.
Historia Ime: Tani besoj që ke krijuar shoqëri edhe nga komuniteti LGBTI+, por edhe shokë jashtë komunitetit, cila është ajo gjë që ndoshta të bezdis pak?
Besarti: Që të tregohem i sinqetë mendoj se ende njerëzit nuk janë mjaftueshmërisht të edukuar sa i përket biseksualitetit. Për shembull, më bezdis pyetja “me kë ndihesh më mirë, me një çun apo gocë” ose kur më pyesin “ nëse je i lidhur me djalë, si ja bën për vajza ose anasjelltas”.
Po, shoqëria ime e ngushtë e di që unë jam biseksual, normalisht bëjmë shaka me njëri-tjetrin, por me ata që unë rri zakonisht, e dinë kufirin e tyre.
Aktualisht unë jam i lidhur me një djalë, dhe ndonjëherë miqtë e mi bëjnë shaka dhe më thonë se “pse kur je i lidhur me një djalë je më i lumtur” unë u them që nuk është e vërtetë, për mua nuk ka rëndësi gjinia, për mua ka rëndësi personi.
Historia Ime: A ndihesh ndonjëherë i diskriminuar, ku?
Besarti: Sigurisht, si të gjithë anëtarët e tjerë të komunietit LGBTI+, edhe unë ka raste që e ndjej diskriminimin. Ndonjëherë mendoj se edhe komuniteti LGBTI+ duhet të edukohet më shumë.
Historia Ime: Cili është mesazhi yt për lexuesit?
Besarti: Unë mendoj që tanimë gjërat janë bërë më të thjeshta, të rinjtë përdorin masivisht rrjetet sociale, dua të them se ka më shumë informim, por fatkeqësisht ende mungon edukimi. Unë e shoh kur udhëtoj në vendlindjen time, mungon tërësisht informacioni për komunitetin LGBTI+. Në shumë zona të Shqipërisë e quajnë ende turp të jesh gej, ose biseksual, ose trangjinorë, ose lezbike. Psikologët, mësuesit dhe punonjësit socialë mundohen që të shmangin temat me të rinjtë që flitet për seksuaitetin, medoj që duhet një plan konkret në lidhje me edukimin./ HistoriaIme
Besarti është emër i vendosur rastësisht, për të shmangur identitetin e personit të intervistuar!