“Autoritetet turke duhet ta ndalojnë censurimin e raportimeve dhe lajmeve për përfshirjen ushtarake të vendit në Siri, si dhe arrestimin apo ngacmimin e gazetarëve që e mbulojnë këtë fushë,” ka deklaruar ditën e djeshme Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Turqi.
Kryeprokuroria e Stambollit publikoi dje një deklaratë, ku ndalonte raportimet, lajmet dhe komentet kritike mbi sulmin ushtarak turk në Sirinë veriore. Deklarata thotë, se nëse një person ose entite të tjera që “targetojnë paqen sociale të Republikës së Turqisë, paqen e brendshme, unitetin dhe sigurinë … me çfarëdolloj lajmi sugjerues, publikimi të shkruar ose vizual, përfshirë dhe llogaritë operative të mediave sociale, do të ndiqen penalisht sipas kodit penal turk dhe ligjit për antiterrorizëm”.
“Fuqitë rajonale dhe globale, si dhe qytetarët e tyre, kanë interes për atë që po ndodh në kufirin turko-sirian, prandaj është e rëndësishme që ata të kenë akses në lajme, si dhe mendime të lira dhe të pacenueshme. Autoritetet turke nuk duhet të shpëtojnë paq edhe kësaj herë, ” u shpreh Gulnoza Said, koordinatore e programit të Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve. “Ndalimi i Turqisë ndaj raportimit të lajmeve dhe ndalimi i gazetarëve bëhen për të frikësuar median në heshtje – një model, të cilin e ka realizuar pa ndonjë ndëshkueshmëri për një kohë të gjatë,” vijoi ajo.
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë tha, se ndjekja penale po zhvillohej të paktën për 78 persona.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pati kërcënuar prej kohësh për sulmin ndaj Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të cilët deri këtë javë u mbështetën nga SH.B.A. Turqia pretendon se milicia kurde që drejton aleancën është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është shpallur e jashtëligjshme në Turqi. Sipas raportimeve të bëra deri tani thuhet se vendimi i SH.B.A-ve për t’u tërhequr nga kufiri, hapi rrugën që aeroplanët luftarakë dhe artileria turke të godisnin zonën ditën e djeshme, ndjekur dhe nga forcat tokësore që kalonin kufirin.
Për tri vite radhazi Turqia mban rekord botëror, si shteti me numrin më të lartë të përndjekjeve ndaj gazetarëve. Gjatë kësaj periudhe, autoritetet kanë mbyllur ose marrë përsipër në shqyrtim një numër të lartë të mediave të pavarura.
Referuar: Committee to Protect Journalists
Liri Kuçi