Tiranë/ Një pallat rrezikon shembjen, shkak gropa e hapur pranë tij nga një firmë ndërtimi
Një pallat në zonën e Kopshtit Botanik në Tiranë rrezikon të shembet për shkak të një grope që është hapur shumë pranë tij, për të ndërtuar një pallat tjetër.
Gropa e hapur nga një firmë ndërtimi është bërë shkak për rrëshqitje dherash pas shirave të ditëve të fundit, duke rrezikuar jetën e banorëve.
Që nga mbrëmja e djeshme policia ka nisur evakuimin e rreth 20 familjeve që banojnë aty, ndërsa disa prej familjeve nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre. OSSHE po kryen ndërprerjen e energjisë elektrike për të evituar rrezikun në këtë drejtim.
Pas ankesave të banorëve 3 ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ka urdhëruar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave. Po kështu në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të policisë së rendit, policisë bashkiake dhe përfaqësues nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e Tiranës.
/l.k./