Tirana pret Forumin e katërt Rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore
Tirana ka pritur këtë vit Forumin e katërt Rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore. Forumi i organizuar nga AIRE Centre (Advice on Individual Rights in Europe) dhe Civil Rights Defenders, ka mbledhur së bashku, mbi 160 përfaqësues të shquar të Evropës Juglindore të Gjykatave të Larta, Kushtetuese, Këshillave Gjyqësore, Drejtues të Akademive Gjyqësore, të organizatave jo-qeveritare etj.
Tema e forumit të këtij viti që mbahet në 17 dhe 18 mars në Tiranë, është liria e shprehjes në Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe në mënyre të veçantë marrëdhëniet e saj me të drejtën për respektimin e jetës private dhe të drejtën për gjykim të drejtë.
“Është e qartë se liria e shprehjes është çelësi për zhvillimin, dinjitetin dhe përmbushjen e individëve. Është komponent thelbësor i një vendi që vlerëson shtetin e së drejtës dhe është themeli i një shoqërie të hapur dhe gjithëpërfshirëse”, tha Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Guido Raimondi.
Të pranishëm në fjalën hyrëse ishin edhe z. Xhezair Zaganjori Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ky i fundit tha në fjalën e tij se në shumë raste janë gazetarët e pakualifikuar, që nuk i njohin ligjet, ata që i paraqesin ngjarjet në mënyrë jo korrekte. Nga ana tjetër Z. Dedja pranoi se edhe institucioni që ai drejton duhet të ndryshojë taktikën se si komunikon me medien.
Qëllimi i Forumit është që të promovojë zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rajon, të nxisë bashkëpunimin rajonal në zhvillimin e vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut dhe për të ndihmuar procesin e integrimit e rajonit në BE. Ky është Forumi i katërt i këtij lloji. Tre forumet e mëparshme janë zhvilluar në Budva, Beograd dhe Sarajevë.