Tirana në kaos, sot 3 orë pa transport urban, nesër grevë 24 orëshe
Thuhet se e ecura në mëngjes të bën mirë për të filluar ditën në mënyrë energjike. Shumë nga qytetarët e Tiranës sot nuk kanë patur zgjedhje tjetër. Sepse greva e Sindikatave të Transportit Qytetas ka paralizuar transportin urban nga ora 5:00 deri në orën 8:00.
Kërkesa e Federatës së Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit është rritja e pagës së punonjësve. Kjo gjë sipas kryetarit të saj Zija Hasani mund të arrihet vetëm nëse rritet cmimi i biletës.
Ai paralajmëron një tjetër protestë nesër në orën 10 përpara Bashkisë së Kryeqytetit.
“Kërkojmë rritjen e rrogës së punonjësve. Kjo rritje varet nga çmimi i biletës që përcakton Bashkia.
Nesër do të kemi grevë 24 orëshe dhe punonjësit e transportit urban të kryeqytetit do të dalin në një protestë në orën 10:00 para Bashkisë së Kryeqytetit” – tha Zija Tahiri.
Në lidhje me këtë lëvizja “Për Transport të lirë dhe cilësor” ka nxjerë një njotim ku kërkon reagimin qytetar ndaj kërkesës së vazhdueshme të Sindikatës të Transportit Qytetas për rritjen e çmimit të biletës: “Transporti publik nuk u përket kompanive private. Pronarët dhe shteti janë marrë vesh. Pronarët bëjnë sikur kërkojnë 70 lekë biletën, që shteti të bëjë sikur ura ul pretendimin deri në 50 lekë. Ndërkohë që të dyja palët bëjnë sikur, për ne çështja është shumë serioze, sepse na prek në përditshmërinë e jetës tonë.”