Tetova thirrje për ndihmë!
Komuna e Tetovës ka shpallur dy ditë zie për viktimat e stuhisë së fuqishme dhe vërshimeve të ujërave dje.
Gjithçka ka ndodhur pasditen e djeshme, ku për rreth 3 orë, stuhia e fuqishme e ndjekur nga shiu i madh, era dhe shkarkimet elektrike, kanë përfshirë rajonin më të gjerë të Tetovës. Deri tani burimet zyrtare thonë se numri i viktimave është 4 dhe 2 janë shpallur të zhdukur.
Gjithashtu me lëndime të rënda mbeten edhe 11 persona, shumica e tyre prej Shipkovice, Sellcë, Xhepçisht, dhe Reçicë e Vogël. Moti i keq ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dherash dhe gurësh në Tetovë ku situata më e rënduar gjendet në fshatin Shipkovicë.
Gjendja e rënduar në Tetovë ka bërë që njerëzit të kërkojnë ndihmë. Edhe vet kryetarja e komunës, Teuta Arifi, i është drejtuar qytetarëve me një mesazh:
“Të gjithë ata që duan të ndihmojnë vëllezerit dhe motrat e tyre në zonat e rrezikut, njoftohen se këtë mund ta bëjnë duke dhuruar ushqim, ujë dhe preparate higjienike në pikën e grumbullimit që gjendet në parkingun prapa ndërtesës së Komunës së Tetovës.
Nga mbledhja e Shtabit Emergjent u morr vendim që personat që kanë dëshirë të kontribojnë vullnetarisht për të lehtësuar situatën e krijuar mund të kontaktojnë me personin që është caktuar si koordinator në numrin 076 330 113 ose të dërgojnë e-mail përmes adresës elektronike [email protected]”
Por në mediat maqedonase nuk kanë ngelur pa u diskutuar edhe reagimet e qeverisë shqiptare. Agjencia e lajmeve INA, shkruan se Shqipëria nuk sensibilizohet me Tetovën.
“Qeveria shqiptare deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë vendim për të ndihmuar Tetovën dhe banorët e saj nga kjo fatkeqësi e rëndë. Përveç një statusi ngushëllimi në Facebook të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati”.