Mëngjesin e sotëm naftëtarët e Ballshit po protestojnë para kësaj uzine, pasi kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.
Ata tentojnë herë pas here për t’u futur me forcë në ambientet e kësaj uzine, ku janë përplasur me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivët e Policisë së Fierit.
Gjatë përleshjes me policinë, janë lënduar dhe transportuar në spital disa protestues, ndërsa policia e ndihmuar edhe nga Forcat Shqiponja, i ka shpërndarë protetuesit me spraj.
Ndërkohë protestuesit brohorasin njëzëri: “Duam lekët tona. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Nëse fëmijët bëhen si këta politikanë, harram ju qoftë. Hapni derën, ky është vendi jonë i punës, nuk kemi gjë me policët. Ne duam vetëm pagat dhe rifillimin e punës”.
Pas protestave dhe kërkesave të shumta, naftëtarëve ju premtua se do të merrnin një pagë të prapambetur nga 20 të tilla në këmbim të rifillimit të punës prej tyre. Java e shkuar u mbyll dhe asnjë prej tyre nuk mori paratë e premtuara, duke i nxjerrë sërish ditën e sotme në protestë.
Pas përplasjeve, kryetari i sindikatës së naftëtarëve të bashkuar Sokol Dautaj doli në një deklaratë përpara naftëtarëve. Ai tha se protestuesit nuk duan që Ballshi të kthehet si Beiruti kjo pasi pajisjet teknologjike dhe kimike që ndodhen në uzinë rrezikojnë të shpërthejnë në zjarr nëse nuk mirëmbahen./ HistoriaIme