Taksoni oligarkët, paguani punëtorët! Në 1 maj protestohet në Tiranë!

Edhe pse vendi është në karantinë, dhe pandemia e koronavirusit ka gjunjëzuar botën, aktivistët e Organizatës Politike, nuk kanë nguruar të dalin në një protestë simbolike, duke respektuar distancimin social dhe të kërkojnë të drejta për punëtorët, sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Aktivistët në një deklaratë për media, kanë thënë ndër të tjera se, “sot punëtorët shqiptarë gjenden në ditën më të errët të historisë së tyre”, ndërsa kanë shtuar- “Kush nuk është pushuar nga puna, po rrezikon përditë shëndetin dhe jetën. Oligarkët e minierave e supermarketeve, si dhe pronarët e fasonerive e call center-ave po i shtrydhin punëtorët që të mos u shpëtojë as edhe një lek nga fitimi.”
Deklarata e plotë:
TAKSONI OLIGARKËT, PAGUANI PUNËTORËT!
Sot punëtorët shqiptarë gjenden në ditën më të errët të historisë së tyre. Kush nuk është pushuar nga puna, po rrezikon përditë shëndetin dhe jetën. Oligarkët e minierave e supermarketeve, si dhe pronarët e fasonerive e call center-ave po i shtrydhin punëtorët që të mos u shpëtojë as edhe një lek nga fitimi.
Në ndihmë kanë një qeveri të nënshtruar ndaj interesave të më të pasurve. Shumë punëtorë nuk janë përfshirë në skemën e mbështetjes financiare, ndërkohë që qeveria ka pezulluar të drejtën kushtetuese të grevës duke i vendosur punëtorët midis dy zjarreve: rrezikim i shëndetit ose uri!
Ndërkohë qeveria është e gatshme të paguajë interesat e kredive dhe të shtyjë afatet e pagimit të taksave nga ana e oligarkëve.
Kriza ekonomike vetëm sa do të thellohet. Pa ndërhyrje energjike në taksimin e oligarkëve dhe rishpërndarjen e pasurisë, papunësia dhe mjerimi ekonomik do të përfshijë edhe shtresa shoqërore që deri më sot ia kanë dalë të qëndrojnë mbi ujë.
Prandaj këtë 1 Maj zgjedhja e çdo qytetari të ndershëm është më e lehtë se kurrë: O me oligarkët e pushtetarët, o me punëtorët!
Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë.
Rroftë 1 Maji! Rrofshin punëtorët!
#TaksoniOligarkët
#PaguaniPunëtorët/ HistoriaIme