Taksa për mallrat, Serbia do të dërgojë rastin në arbitrazh ndërkombëtar
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vend për shkak të taksës. Mediat serbe raportojnë se Beogradi do të fillojë një betejë ligjore dhe çështjen do ta dërgojë në arbitrazh.
Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, Prishtina refuzon heqjen e taksës, duke shtyrë Beogradin zyrtar të shqyrtojë mundësinë që të nisë procesin e arbitrazhit për shkak të taksës që ka vendosur Kosova ndaj mallrave serbe, shkruan gazeta “Novosti”.
Ky opsion është në tavolinë që nga 25 shkurti, kur janë bërë 90 ditë nga dorëzimi i kërkesës së Qeverisë së Serbisë, që ka dërguar kërkesën formale sekretariatit të CEFTA-s, për konsultime direkte në kuadër të komitetit të përbashkët.
Rreth kësaj mësohet se ka pasur takime edhe konsultime me ekspertë të brendshëm edhe të jashtëm, në mënyrë që nëse vendoset për arbitrazh të përgatitet strategjia.
Edhe presidenti Aleksandar Vuçiç ka thënë të hënën se qeveria po zhvillon bisedime në angazhimin e një zyre të avokaturës në rastin e arbitrazhit për shkak të shkeljes së marrëveshjes CEFTA nga ana e Prishtinës.
Klasa politike në Kosovë është përfshirë në përplasje të mëdha mbi çështjen e taksës, kundër mbajtjes së së cilës kanë dalë hapur dhe partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara.
Para disa ditësh ishte vetë Kryeministri Haradinaj i cili deklaroi se taksa do të qëndronte për të treguar reciprocitetin e marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht se minon dhe marrëdhëniet e Kosovës me perëndimin.
Kundër taksës është dhe Presidenti dhe një grup deputetësh të të dy krahëve politikë./k.j