Taksa e re e Rrugës së Kombit krijon pakënaqësi në Shqipëri e Kosovë
Mesditën e djeshme u testuan sportelet që do të shërbejnë për pagesën e taksës së Rrugës së Kombit. Duke filluar nga java e ardhshme çdo automjet që do të kalojë në këtë rrugë do të paguajë një tarifë që varion nga 2.5 deri në 22.5 euro.
Taksa 5-fish më e lartë se propozimi i strategjisë së tarifimit të rrugëve:
Top Channel, raportoi sot se kjo taksë është katër herë më e lartë se rekomandimi i kompanisë që qeveria shqiptare pajtoi për të bërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri.
Sipas raportit konfidencial të Egnatia Odhos, çmimi maksimal i përballueshëm nga familjet shqiptare është 3.5 euro për 100 kilometër. Por ky është tavani më i lartë i mundshëm. Ndërsa tarifa optimal e rekomanduar nga konsulenti është 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra.
“Nisma Thurje” qytetarët paguajnë dy taksa për mirëmbajtjen e rrugëve:
Një tjetër shqetësim ka ngritur “Nisma Thurje”, duke ri publikuar një video të dy viteve më parë që tregon se shqiptarët paguajnë dy taksa vjetore, ku përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugëve. Përkatësisht taksa mbi karburantet dhe taksa e përvitshme e regjistrimit.
Taksa e vendosur në Rrugën e Kombit, shqetësuese për institucionet dhe bizneset edhe në Kosovë
Ndër zërat e parë kritikë ishte ai i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili e bëri të qartë se do t’i kërkonte sqarime homologut shqiptar, Damian Gjiknuri.
“Sa i përket çmimit për taksën, në kuptimin afatshkurtër është i shtrenjtë. Kjo do të sillte rënien e remitencës në të dyja anët e kufirit, meqenëse Shqipërinë, kryesisht në verë e frekuentojnë çdo ditë shumë qytetarë të Kosovës. Është moskoordimin me qeverinë e Kosovës, për këtë arsye nuk e përkrahim. Me siguri që biznesi penalizohet”, tha Pal Lekaj.
Rreth 50 biznese të ndërtimit nga Kosova kanë vendosur që ta bojkotojnë “Rrugën e Kombit” pas tarifave për kalimin e autostradës të vendosura nga Qeveria Shqiptare
“Të gjitha këto pengesa dhe tarifa, çojnë në humbje të perspektivës dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregtisë në këto hapësira shqiptare”, tha për Klan Kosova përfaqësuesi i këtyre bizneseve Jetmir Bytyçi
/l.k./