Taksa e pronës përfshin jo vetëm apartamentet; Sa do të paguajnë qytetarët nga muaji prill?
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektvendimin për metodologjinë që do të përdoret në përcaktimin e vlerës së pasurive të paluajtshme. Projektvendimi vjen në mbështetje të ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, i cili do të përcaktojë taksimin e ri mbi pronën që pritet të vihet në zbatim nga muaji prill i këtij viti.
Ndryshimi kryesor në këtë ligj është se qytetarët do të taksohen jo me një taksë fikse në bazë të sipërfaqes, siç ka qenë deri më tani, por në bazë të vlerës së pronës.
Më parë taksa e pronës ka qenë 15 lek për metër katror për ndërtimet përpara vitit 1993 dhe 30 lek/m2 për ndërtimet pas vitit 1993. Me ndryshimet e parashikuara vlera e pronës do të llogaritet si produkt i sipërfaqes së ndërtesës me çmimin për metër katror e cila përbën “bazën e taksës”, pra vlerën e pasurisë mbi të cilën do të llogaritet taksa.
Mbi këtë vlerë do të aplikohen përqindjet të ndara sipas tre kategorive:
- 0.05% për ndërtesën/njësinë e ndërtesës që përdoret, shfrytëzohet për banim;
- 2% për ndërtesën/njësinë e ndërtesës që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike (Bizneset)
- 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqet ndërtimore të cilën zhvilluesi i pajisur me leje ndërtimi nuk ka arritur ta përfundojë sipas afatit të lejes së ndërtimit
Sa do të kushtojë taksa e pronës?
Pjesë e taksimit mbi pronën do të jenë jo vetëm apartamentet por edhe një sërë nën-kategorish të ndërtesave të cilat ndahen në ndërtesa me qëllim banimi dhe biznese.
Në ndërtesat për qëllim banimi do të përfshihen edhe garazhet e mbyllura, bodrumet dhe çdo ndërtesë tjetër e ngjashme mbi apo nën tokë, që nuk përdoren apo shfrytëzohen për veprimtari ekonomike.
Konkretisht një qytetar i cili ka në pronësi një shtëpi prej 100 m2 dhe një garazh 20 m2 në zonën: Pazari i Ri, 9- Katëshet, shkolla “Avni Rustemi”, ku çmimi i referencës është 135,000 lekë/m2 do të paguajë:
135,000 X 100 = 13,500,000, është vlera që përbën bazën e taksës mbi të cilën aplikohet vlera prej 0.05%.
Pra një total prej 6,750 lekësh në vit.
Ndërsa çmimi për një metër katror i garazheve të mbyllura llogaritet sa 70% e çmimit të sipërfaqeve të ndërtesave të banimit sipas qyteteve.
135,000 X 20 = 2,700,000 është vlera që përbën bazën e taksës, mbi 70% të kësaj vlere aplikohet taksa prej 0.05%. Çka rezulton se për këtë pronë qytetari duhet të paguajë 945 lekë taksë në vit.
Pra taksa për këto dy prona është 7,695 lekë në vit.
/Ata që kanë rivlerësuar shtëpitë, do të paguajnë më shumë:
Thirrjet e vazhdueshme të qeverisë për rivlerësimin e shtëpive me tatim mbi fitimin 2%, duket se kanë qenë pjesë e strategjisë për të zbatuar taksën e re të pronës. Çdo qytetar që e ka rivlerësuar pronën e tij mbi çmimin e referencës të miratuar nga qeveria, do të taksohet mbi atë çmim.
Konkretisht, nëse një shtëpi në zonën e Pazarit të Ri në zonën 2/2 është rivlerësuar me çmimin fiskal të miratuar nga qeveria për zonën, pra 135,000 lekë/m2 taksa do të llogaritet mbi këtë vlerë.
Por në rivlerësimin e apartamenteve ose bizneseve, llogariten dhe investimet që janë bërë në to, të cilat mund ta rrisin vlerën. Ndaj nëse qytetari e ka rivlerësuar shtëpinë në zonën e Porcelanit me vlerën 150,000 lekë/m2, taksimi do të aplikohet mbi këtë vlerë dhe rrjedhimisht do jetë më e lartë.
/l.k./