Sulmohet përsëri aktivisti Bekim Asani, 2 herë për 3 javë

Sulmet homofobike vijojnë të jenë shqetësuese në Maqedoninë e Veriut.
Për herë të dytë brenda 3 javësh aktivisti shqiptar në RMV Bekim Asani është sulmuar fizikisht.
Ai e ka ndarë historinë e tmerrshme në rrjetin e tij social.
Shkrimi i Asanit;
Të dashur miq, SHPËNDAJENI!!!
Nuk kam fjalë apo fuqi për të përshkruar tmerrin që përjetova dje.
Tri javë pas sulmit të fundit fizik homofobik, tri javë pasi mora pak guxim të dal nga shtëpia, duke luftuar dhimbjen, stresin dhe sulmet e panikut, ndodhi një tjetër sulm fizik homofobik në mes të qytetit të Shkupit.
Unë nuk jam i sigurt, edhe në një vend plot me njerëz. Sulmuesi m’u afrua dhe filloi të më ofendonte duke më thënë: “Faggo e pistë*, çfarë po bën këtu?” Më pas ai më goditi brutalisht me grushte dhe shkelma në fytyrë dhe trup shumë herë.
Shoqja ime u përpoq ta ndante dhe të më mbronte dhe ai e sulmoi duke e goditur disa herë me grusht në fytyrë. Ne të dy përfunduam në spital pas sulmit.
Ky është sulmi i tretë në vetëm tre muaj. Ky sulm është gjithashtu një argument dhe një fakt se sa në rrezik jam unë, sa është në rrezik jeta ime, jeta e nënës sime dhe jeta e çdo personi LGBTIQ dhe se një nga të drejtat e mia themelore, liria e lëvizjes dhe siguria është marrë peng. Me çdo sulm, dyshimet e mia rriten gjithnjë e më shumë se këto sulme janë të organizuara nga dikush ose ndonjë grup.
Ju lutem përhapeni thirrjen time për ndihmë institucioneve dhe politikanëve në Maqedoninë e Veriut sa më shumë që të jetë e mundur. Ju lutem, jam në fund të forcës sime fizike dhe mendore. Çdo sulm ma bën jetën më të vështirë.
Ju lutem më ndihmoni sepse tani nuk e di nëse do të mund t’i mbijetoj edhe një sulmi.
Ju lutem me ndihmoni sepse meritoj te jetoj, te jetoj i lire pa frike!!!
Sot kam dhimbje koke të forta dhe dhimbje shpine, humbje momentale të shikimit, sulme paniku dhe ankth që janë bërë të padurueshme.
Ju lutemi ndajeni këtë dhe bëni që zëri im dhe lufta ime të dëgjohet./ HistoriaIme