“Studentët ndryshuan qeverinë”, lajmi bën bujë në mediat e huaja

Vendimi i Kryeministrit Rama për shkarkimin e 7 ministrave të Kabinetit të tij qeveritar, duket se më shumë se një ‘rifreskim’ i kabinetit, ishte një akt i perballjes me përgjegjësinë e (keq)qeverisjes së muajve të fundit.
Protestat e studentëve të muajit dhjetor, duket se përpos problematikave në arsim, ndërgjegjësuan qytetarët dhe mbi politikat e gabuara të qeverisë dhe rritën përgjegjësinë politike të një kaste të tërë politikanësh.
Shkarkimi i ministrave ka ngjalluar interes edhe për mediat ballkanike, por edhe ato ndërkombëtare. Kështu agjencia e lajmeve italiane “ANSA” shkruan se largimi i tyre erdhi si pasojë e protestave të studentëve, pavarësisht se kërkesat e tyre ishin më shumë të natyrës ekonomike.
Gjithashtu një tjetër media, e cila pasqyron realitetin socio-politik në Shqipëri, “Balkaninsight” raporton se kryeministri i Shqipërisë ka shkarkuar gjysmën e kabinetit qeveritar pas protestave të studentëve në rrugët e Tiranës dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.
Një ngjarje e tillë nuk kishte se si të mungonte edhe në faqen e “The Associated Press”, e cila thekson se Rama ka riorganizuar kabinetin qeveritar si përgjigje ndaj interesave të studentëve që protestuan duke denoncuar edhe rastet e korrupsionit dhe kushteve të vështira ekonomike e sociale në të cilat jetojnë.
Reagime të shumta pati dhe në rrjete sociale, ndërsa në janar priten zhvillime të reja nga studentët në lidhje me protestën e tyre. /k.j