Studentët e quajnë Veliajn Fashist e racist!

Përplasja me kruen e FSHF-së Armand Duka duket se e ka nxjerrë nga shinat kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. I pyetur në Report Tv se përse i ka hyrë kësaj beteje, Veliaj ka bërë një tjetër gafë duke fyer të rinjtë që jetojnë në konvikte.
“Unë nuk luaj më vetë futboll, por kur shikoj padrejtësi reagoj. Ka kauza që nuk kanë pse të jenë të lidhura me interesin personal.
Prandaj dallon konviktori nga qytetari. Nëse qyteti për ty është vendi ku fle, ha dhe kryen nevojat personale atëherë ti je një konviktor, ti je thjesht banor, por qytetar bëhesh kur reagon dhe bëhesh aktivist” – tha Veliaj.
Në lidhje me këtë deklaratë kanë reaguar ashpër aktivistët e Lëvizjes për Universitetit!
Përmes grafiteve në rrugë ata i kanë përcjellë disa mesazhe Kryebashkiakut duke e akuzuar si racist.
Deklarata e LPU
ERION VELIAJ: VRASËS, HAJDUT DHE RACIST!
Erion Veliaj – vrasësi i 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, kryetari i korruptuar i kantiereve të ndërtimit të mbuluara me gjak punëtorësh dhe komandanti i një ushtrie që sulmon të moshuarat që shesin anës rrugës – ka gjetur një tjetër subjekt për të kanalizuar urrejtjen fashiste: studentët që banojnë në konvikte. Sipas Veliajt, konviktorët nuk janë qytetarë dhe i gjithë aktiviteti i tyre jetësor mund të përmblidhet në procesin e ngrënies, pirjes dhe përdorimit të banjos.
Përtej konceptimit të qytetit si e drejtë private e elitës, urrejtja e verbër e Veliajt ndaj studentëve e ka një burim të qartë: rezistencën studentore kundër tij. Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin shpeshherë kanë gjetur mundësinë për t’i përplasur të vërtetën në fytyrë; në salla kongresesh, në sheshe dhe deri në zyrën e tij, duke e shpallur vrasës, hajdut dhe racist.
Për t’i kujtuar Veliajt dhe të ngjashmëve me të që studentët nuk kompleksohen nga estetika e shampanjës dhe ryshfetit, sot zhvilluam një aksion me grafiti për të kremtuar krenarisht ekzistencën tonë prej vajzash dhe djemsh që vijnë nga rrethet, punojnë e shkollohen, dhe njëkohësisht organizohen për një universitet përmbajtësor dhe shoqëri barazimtare.
U bëjmë thirrje të gjithë studentëve, pavarësisht prejardhjes, të solidarizohen mes vetes dhe të reagojnë në të njëjtën mënyrë kundër diskriminimit dhe nëpërkëmbjes./HistoriaIme