Sondazhi/ Shumica e qytetarëve të Kosovës mbështesin të drejtat e çifteve të të njëjtit seks
Muajt e fundit, aktivistët LGBTI+ dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të përfshijë dhe rregullojë ligjërisht partneritetet e të njëjtit seks në Kodin Civil të hartuar rishtas.
Një sondazh i fundit i opinionit publik i kryer nga Civil Rights Defenders në Kosovë konfirmon se shumica e qytetarëve mbështesin dëshirën e çifteve të të njëjtit seks për të gëzuar të drejtat e përcaktuara me këtë përfshirje.
Gjetjet kryesore
Mbështetje e fortë për secilën nga të drejtat e përcaktuara nga legjislacioni që rregullon martesat e të njëjtit seks, duke filluar nga e drejta e personave LGBTI+ për të vizituar partnerët e tyre në spitale ose burgje (61% e qytetarëve) deri tek e drejta e personave LGBTI+ për të trashëguar pasuritë në rast të vdekjes së njërit prej partnerëve (57% e qytetarëve).
Kjo përfaqëson një rritje të madhe (gati trefish) në krahasim me të njëjtin sondazh të kryer në 2015, ku mesatarisht 20% e qytetarëve mbështetën secilën të drejtë.
Mbështetja për këto të drejta është më e larta në mesin e të rinjve (18-29), të anketuarve të arsimuar në Universitet, dhe veçanërisht atyre që komunikojnë me personat LGBTI+ (80%+).
Pavarësisht nga detyrimet ndërkombëtare të Kosovës për të drejtat e njeriut për të siguruar që pakicat të mos diskriminohen, ku dhe Kushtetuta e Kosovës thotë se “bazuar në vullnetin e lirë, të gjithë gëzojnë të drejtën për t’u martuar”, drafti i Kodit Civil nuk merr parasysh nevojat e komunitetit LGBTI+, duke përcaktuar martesën si “një bashkim i rregjistruar ligjërisht midis dy bashkëshortëve të gjinive të ndryshme”.
Zyrtarja e Programit për Mbrojtësit e të Drejtave Civile për Kosovën, Sarah Maliqi, e cila është pjesë e një grupi pune me organizatat e shoqërisë civile për të bërë ndryshime në draftin e Kodit Civil tha se “Qeveria e Kosovës ka një përgjegjësi për të rregulluar ligjërisht statusin e çifteve të të njëjtit seks; për të siguruar që nevojat e tyre bazë, të përditshme, të tilla si e drejta për të vizituar një partner në spital. Ajo që tregon ky sondazh i opinionit publik është se qytetarët janë dashamirës edhe për këto çështje, dhe e kuptojnë nevojën për një legjislacion që nuk është ekskluziv apo diskriminues. ”/ HistoriaIme