Skandali/ Rrjedh databaza me rrogat e 600 mijë qytetarëve!
Mbi 600 000 qytetarë shqiptarë nuk e kanë më pagën anonime.
Rrjedhja e një database me të dhënat personale dhe me pagën mujore të mbi 600 000 qytetarëve që punojnë në sektorin publik dhe privat, është skandali i radhës pas rrjedhjes së preferencave politike para zgjedhjeve të 2021, në atë që u quajt “skandali i patronazhistëve”.
Qeveria ka reaguar në lidhje me listën me emra tatim-paguesish ku iu bëhen publike të dhëna personale dhe pagat. Përmes një reagimi për mediat, zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga pohon se bëhet fjalë për një dokument ilegal dhe se sipas tij është bashkim i disa copave të ndryshme.
Mes të tjerash qeveria thekson se do të depozitojë një kallëzim penal në prokurori për zbardhjen e kësaj ngjarje.
REAGIMI I QEVERISE
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.
Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar pas skandalit të ditës së sotme ku publikua një listë-pagesë e të gjithë të punësuarve në Shqipëri.
Komisioneri bën thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.
DEKLARATA
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u njoh nga media me publikimin e lajmit për qarkullimin në platformën e komunikimit “ëhat’s app” të një bazë të dhënash të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, shoqëruar me të dhëna të tyre. Zyra e Komisionerit ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme, në mënyrë që të ushtrojë detyrimin ligjor dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme për një hetim administrativ kryesisht (me iniciativën e saj) për këtë çështje.
Si edhe në raste të tjera të ngjashme, Zyra e Komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit, kur në objekt të saj ka të dhëna personale, para së gjithash, duhet realizuar duke mbajtur parasysh faktin se “interesi i lartë publik”, dallon nga “interesi për publikun”. Në këtë kontekst, Zyra e Komisionerit i bën thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.
Çdo veprim që mund të duket si një “lojë”, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve. Qarkullimi online apo dhe publikimi në media i të dhënave të qytetarëve rezulton se është një veprim i kundërligjshëm, i papërgjegjshëm dhe i bëhet thirrje organeve mediatike dhe publikut të mos bëhen përhapës të paligjshëm të të dhënave personale.
I drejtohemi opinionit publik që të mos bëhet pjesë dhe të refuzoj këtë përpunim të jashtëligjshëm dhe ta fshij këtë bazë të dhënash./ HistoriaIme