Situata e përmbytjeve, problemet me ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike në vend
Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta, kanë shkaktuar përmbytje, probleme me furnizimin e ujit të pijshëm dhe energjinë elektrike, në disa qytete dhe fshatra të vendit.
Në kryeqytet, sipas Policisë së Tiranës, në disa segmente rrugore janë krijuar probleme dhe është vështirësuar së tepërmi lëvizja dhe qarkullimi i automjeteve. Segmentet të cilat kanë probleme janë autostrada Durrës- Tiranë ( nga City Park në drejtim të hyrjes së Tiranës) Blloku “Don Bosko”, “Komuna e Parisit”, “Pallati me Shigjeta”, “Qendër Kamëz”, “Qendër Kombinat” dhe rruga e “Qelqit”.
Gjithashtu lumi i Lanës ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa lagjje në zonën e Laprakës, Bathores e Paskuqanit.
Edhe këtë herë, raportohen përmbytje të mëdha në qytetet e Vlorës dhe Fierit, për shkak të motit të keq. Në Vlorë ka disa rrugë të pakalueshme për shkak të pranisë së ujit, si dhe rruga për në Orikum është e kalueshme me vështirësi si shkak i rrëshqitjeve të dherave. Ndërsa në qytetin e Fierit, lumi Gjanica ka dalë sërish nga shtrati dhe ka përmbytur shumë shtëpi. Situata më e keqe raportohet në lagjen “1 Maji”.
Në qarkun e Durrësit, problemet më të mëdha janë me furnzimin e dritave. Për shkak të motit të keq, Sukthi, Thumana, Gjiri i Lalëzit, Spitalla, Derveni, Borizan dhe Shkëmbi i Kavajës janë prej orësh pa energji elektrike. Gjithashtu në Durrës për shkak të detit të trazuar, ka patur probleme edhe me një prej trageteve të linjës “Bari-Durrës”, por mësohet se është ankoruar që prej mëngjesit të sotëm.
Edhe në very të vendit, problemi më i madh është energjia elektrike. Qytetet e Kukësit dhe Tropojës si dhe disa fshatra nuk kanë energji elektrike.
/m.g