Nga Isa MyzyrajGjate pandemisë së koronavirusit Policia eShtetit ka mohuar të drejtën e protestës qindra qytetareve si edhe kashpërndarë forcërisht me dhjetra protesta dhe tubime të organizuara në të gjithë vendin.
Në një forum të organizuar nga Qëndresa Qytetare, Qendra për të Drejtat në Punë, dhe Olof Palme në vendin tonë, është ngritur alarmi për praktikën e ndjekur nga qeveria shqiptare dhe institucionet vartëse për mënyrën si është trajtuar e drejta për të protestuar.
Me një vendim të diskutueshëm, ministria e Shëndetësisë – me vendimin e Komisionit Teknik të Ekspertëve, miratoi urdhrin nr. 351, për “parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”.
Në këtë vendim, ndalohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, ceremonitë martesore apo mortore.
Përveç se ky vendim është thyer me vetëdije në mëyrë të përsëritur nga politika, të cilët kanë bërë herë pas here tubime para-elektorale, nga shqyrtimi i të dhënave, ligjshmërisë, dhe nga referimet në forumin e ditës së sotme, vendimi ka probleme të mëdha edhe në aspektin juridik, pasi bie qartasi ndesh me praktikat ndërkombëtare dhe kufizon lirët e njeriut.
“Në protestë nuk mund të ruhet distanca apo qetësia, pra është e pamundur që të ruhemi totalisht në çdo moment, pasi protestuesit bërtasin apo afrohen me njëri-tjetrin,” -tha gjatë referimit të saj, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, anëtare në Komisionit Teknik të Ekspertëve Zonja. Mira Rakacolli.
Por, Avokatja e Popullit Zonja. Erinda Ballanca, tha se është e paqartë ende se çfarë mund të quhet “grumbullim masiv” në kuptimin e numrave real.
“Ne akoma nuk kemi të përcaktuar nga komiteti teknik i ekspertëve se çfarë quhet një grumbullim masiv, ndërkohë që policia zbaton në mënyrë nihiliste urdhrin për kufizimin e grumbullimeve”, u shpreh Zonja. Ballanca.
Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda shprehu rezervat e tij në zbatimin e këtij vendimi.
Ambasadoria e Suedise ne Shqiperi, Elsa Hastad, e cila vleresoi si shume te rendesishme protestat ne shoqeri demokratike edhe ne situate pandemie.
Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, gjatë fjalës së tij tha se sot; Jetojmë në 2 Shqipëri, atë të Qytetareve dhe në Shqipërine e Pushtetarëve, duke nënkuptuar tubmet politike të lejuara, dhe protestën qytetare të palejuar.
Nga ana tjetër në një përgjigje që disponon HistoriaIme, të Avokatit të Popullit për Organizatat e Shoqërisë Civile, pasi janë marrë në shqyrtim disa veprime të Policisë së Shtetit, Avokati i Popullit thotë se u ka kërkuar disa institucioneve të rëndësishme;Marrjen e masave të nevojshme për ndërprerjen e menjëhershme të praktikës së deritanishme të strukturave të Policisë së Shtetit për moslejimin e grubullimeve jomasive në vende të mbyllura dhe të hapura, si tubime apo dëgjesa publike.
Që nga nxjerrja e vendimit që nuk lejon tubimet, qytetarë të shumtë janë ankuar për lirinë e shprehjes për të cilën shumë thonë se “nuk është kufizuar” por “është ndaluar”.
Institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, që nga nisja e pandemisë, u kanë bërë thirrje shteteve që të mos e përdorin pandeminë për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, akt akt ky që është dëshmuar që ka ndodhur në vendin tonë që nga marsi 2020.
Shqipëria është tërhequr pjesërisht nga Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut në fillim të pandemisë.
Përmes një note verbale dërguar Këshillit të Europës, autoritetet shqiptare kanë njoftuar se janë tërhequr nga nenet 8 dhe 11 të Konventës.
Kjo tërheqje vjen si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi, Covid-19, ndërsa me datën 25 mars qeveria shqiptare vendosi shpalljen e Gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Tërheqja e pjesshme nga Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, është një veprim që parashikohet në konventë, edhe pse nga situata e krijuar nga Coiv-19 veprimin e tërheqjes nuk e kanë marrë vendet e goditura më fort, si Italia apo Spanja, ndërsa rezulton se vetëm Serbia në rajon ka bërë të njëjtin veprim si vendi ynë.
“Masat e miratuara nga Qeveria, ndër të tjera përfshijnë, kufizimin gradual të trafikut ajror, tokësor dhe detar, pezullimin e procesit arsimor, vendosjen e procedurave të karantinës dhe izolimin, kufizimin e mbledhjes ,manifestimit dhe grumbullimit, kufizimin e së drejtës së pronës, etj. rregullore e veçantë për ofrimin e shërbimit publik dhe procedurat administrative”, -thuhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Evropës.
“Zbatimi i masave të marra nga Qeveria gjatë kohës së pandemisë, jep arsye për të shmangur detyrimet e caktuara të Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 8 dhe 11 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe lirisë Themelore, nenet 1 dhe 2 të Protokollit të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirisë Themelore dhe nenit 2 të Protokollit Nr.4 të konventës për Mbrojtien e të Drejtave të Njeriut dhe Lirisë Themelore”, -vijon më tej deklarata.
Më konkretisht, vendi ynë është tërhequr nga nenet që sigurojnë respektimin e jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespodencës së tij, dhe nga neni që ka të bëjë me protestat.
Kështu, me tërheqjen nga këto nene, qytetarëve të vendit, mund tu ndërhyhet në jetën private, familjare dhe me vendim të autoriteteve dhe në banesë.
Dhe, protesta dhe tubimet, nuk janë më të ligjshme, pasi neni 11 i konventës e përcatonte lirinë e tubimit, ndërsa tani Shqipëria është tërhequr nga ky nen.
Neni 8 thotë:
E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare
1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Neni 11 thotë:
Liria e tubimit dhe e organizimit
1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen einteresave të tij.
2. Ushtrimi i këtyre të drejtave nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre qëparashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizime të ligjshme të ushtrimit të këtyre të drejtave nga pjesëtarë të forcave të armatosura, të policisë ose të administratës shtetërore.
Por nuk është hera e parë që vendi ynë merr një vendim të tillë. Shqipëria është tërhequr pjesërisht nga konventa, në 1997 për shkak të trazirave që kishin përfshirë vendin në atë kohë.
Kujtojmë se në lidhje me masat e marra nga qeveria shqiptare dhe me ndryshimet në Kodin Penal, Organizatat e Shoqërisë Civile i kanë tërhequr vëmendjen qeverisë, që të ketë kujdes me respektimin e të drejtave të njeriut./ Historia Ime

