Shtyhet sërish Brexit, afati i fundit më 31 tetor
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u dakordësuan midis tyre për t’i dhënë kryeministres britanike Theresa May një afat të ri deri më 31 tetor për zbatimin e Brexitit, katër muaj më shumë sesa ajo kishte kërkuar.
Vendimi u mor në takimin e sotëm mes krerëve të lartë të Bashkimit Evropian, ku pas një diskutimi të gjatë me dyer të mbyllura, u mundësua një marrëveshje e re midis Britanisë dhe BE-së për afatet e reja të Brexit.
“Të 27 vendet e BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar u pajtuan për një zgjatje fleksibël deri më 31 tetor” shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në Twitter pas përfundimit të takimit të lartë.
Në rast se Britania e Madhe nuk del përpara përpara datës 23 Maj, datë kur nisin dhe zgjedhjet parlamentare për deputetët e rinj të Bashkimit Evropian, atëherë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar do të thirren në zgjedhje për të votuar deputetët e tyre për Parlamentin evropian, të cilët pas Brexit do të detyrohen të dorëzojnë mandatet e tyre në procedura të cilat ende nuk janë bërë të ditura.
Britania, sipas Donald Tusk, mund të largohet edhe më herët nëse kryeministrja May siguron mbështetjen e parlamentit për marrëveshjen e saj për Brexitin, ose derinë fund të kësaj periudhe do të ketë mundësi po ashtu të anulojë Brexit-in.
Tre marrëveshje janë paraqitur deri tashmë nga kryeministrja Theresa May në parlamentin britanik dhe asnjëra prej tyre nuk arriti të marrë shumicën e votave për të bërë të mundur finalizimin e Brexit.
Në Britani po shtohen zërat që kërkojnë një ri-votim për Brexit nga ana e qytetarëve, një opsion që nuk është konsideruar si zgjidhje për problemin në asnjë moment nga qeveria e Britanisë./k.j