Shqipëria së shpejti me sistem hekurudhor të rimëkëmbur
Një ndër sektorët më të vjetër të transportit, siç është ai hekurudhor, është lënë në harresë për vite të tëra në Shqipëri. Por ministri i Transportit Edmond Haxhinasto tha se kësaj periudhe po i vjen fundi dhe se Shqipëria do të miratojë një Kod të ri Hekurudhor.
Ministri Haxhinasto tha se ka filluar rikonstruksioni i stacioneve hekurudhore dhe gjithashtu janë rivlerësuar ato që deri dje ishin hekurishte për skrap, pasi në të vërtetë kanë vlerë ekonomike dhe mund të hyjnë në qarkullim.
Z.Haxhinasto tha se janë në planet e tyre të lidhin linjat hekurudhor shqiptare me fqinjët:
“Gjithashtu në prioritetet tona janë lidhja me Maqedoninë dhe po koordinohemi me miqtë tanë maqedonas për të planifikuar së bashku dhe koordinojmë perpjekjet për lidhjet potenciale Durrës – Shkup dhe përvec kësaj duam të upgrade lidhjet me Malin e Zi. Në planet tona të së ardhmes kemi qëllim lidhjen me Kosovën, prandaj kemi aplikuar së fundmi për fonde për të pasur mundësine të financojme këtë”.