Shqipëria renditet e 71-a në botë nga 126 shtete, në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2018-2019, të publikuar nga “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria merr 0.51 pikë, e pandryshuar në raport me një vit më parë (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë), duke u vendosur në zonën e verdhë, me zbatim të dobët të ligjeve, në të njëjtën nivel me disa vende të tjera të Ballkanit, Azisë jugore dhe Amerikës së Jugut.
Indeksi mat zbatimin e ligjeve në praktikë dhe thekson se zbatimi efektiv i ligjit redukton korrupsionin, lufton varfërinë dhe sëmundjet, si dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë e mëdha dhe të vogla.
Vendi ynë e ka treguesin e përgjithshëm të zbatimit të ligjit pak më mirë sesa Serbia (që është në vend të 78). Qeverisje më të fortë ka Maqedonia (në vend të 56) ndërsa Bosnja është renditur në vend të 60.
Shqipëria ka një renditje tepër negative në treguesin e korrupsionit, ku është në vendin e 103 nga 126 vendet me 0.35 pikë, duke e përfshirë atë në listën e 25 vendeve më të korruptuara në botë, me shtete si Nigeria, Moldavia, Ukraina, Venezuela, Pakistani, Afganistani, Bolivia, Meksika etj.
Në krahasim me vitin e shkuar, situata e Shqipërisë duket të jetë përkeqësuar, duke u renditur 10 vende më poshtë në klasifikim. (një vit më parë kur ishte në vend të 93). Vendi ynë perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon. Bosnja është në vend të 72, Maqedonia në vend të 62, Serbia në vend të 73.
Rendi dhe siguria në vendin e 31, janë treguesi ku renditemi më mirë, me një përmirësim të dukshëm nga një vit më parë, e ndjekur nga të drejtat themelore, në vendin e 49./k.j
Burimi: Monitor