Transparency International ka publikuar raportin vjetor për perceptimin e korrupsionit, një listë ku vendet e botës renditen nga vendet më pak të korruptuara te ato më të korruptuarat.
Shqipëria ka humbur pikë në renditjen e sivjetshme, duke u renditur e 106-a në botë, në krahasim me vendin e 99-të ku ndodhej vitin e kaluar.
Raporti përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. Shqipëria shënon 35 pikë për vitin 2019.
Rreth dy të tretat e vendeve të përfshira në raport, kanë bërë hapa pas në luftimin e korrupsionit.
Kosova gjithashtu ka shënuar përkeqësim, por sërish është në një situatë më të mirë se Shqipëria.
Ajo radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.
Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi.
Rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria.