SHBA: Më shumë vende pune sesa të papunë

Hapja e vendeve të punës po e tejkalon numrin e të papunëve në Shtetet e Bashkuara duke detyruar bizneset të rishikojnë mënyrën se si ata të gjejnë punëtorë të rinj.
Departamenti i Punës të martën, publikoi të dhënat më të fundit për hapjen e vendeve të punës, transmeton Reuters. Raporti tregon një rritje të vazhdueshme të vendeve të punës në dhjetor.
“Nëse kjo vazhdon edhe për disa vite, atëherë sigurisht që do të kemi mungesa të krahut të punës”, tha Ryan Sweet, një ekonomist që ndjek ekonomitë rajonale në “Moody’s Analytics”.
Por hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja ekonomike, që në shumë fjalime publike të presidentit Trump cilësohet si arritja më e madhe në dekadat e fundit, duket se po sjell një efekt “boomerang”. Kjo rritje ekonomike po shoqërohet me tensione të larta dhe polarizim të shoqërisë përsa i përket politikave të emigracionit.
Gjatë javëve të fundit, qeveria federale është mbyllur e mijëra punëtorë qeveritarë kanë mbetur pa paga, për shkak të mosmarrëveshjeve në Kongres për buxhetin e vitit të ardhshëm. Administrata Trump kërkon të shpallë gjendjen e emigrantëve si gjendje emergjence kombëtare dhe presidenti Trump deklaroi se është i gatshëm të mbajë qeverinë e mbyllur derisa Kongresi i ri të miratojë buxhetin e tij për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.
Demokratët, duke rimarë mazhorancën në dhomën e ulët të Kongresit e kanë kthyer në të pamundur ndërtimin e murit kufitar dhe kanë deklaruar se nuk do të japin fonde për të tilla veprime që bien ndesh me parimet e demokracisë amerikane.
Fuqizimi ekonomik dhe vendet e reja të punës po shoqërohen me debate të ashpra mbi mbylljen e kufijve dhe mbi “amerikën për amerikanët”dhe ende nuk është i qartë ndikimi i politikave të tilla në ekonominë e rimëkëmbur amerikane./k.j