Senati amerikan voton për të mbrojtur martesat e të njëjtës gjini

Senatorët amerikanë votuan të martën me 61 vota pro dhe 36 kundër për të mbrojtur martesat e së njëjtës gjini dhe ato ndërmjet racave të ndryshme. Dymbëdhjetë senatorë republikanë votuan pro këtij ligji, që tashmë do të dërgohet në tryezën e Presidentit Joe Biden për t’u firmosur në fuqi, pasi të jetë votuar edhe njëherë në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Akti i respektimit të martesës” mori dritën jeshile me 61 vota pro dhe 36 kundër, me mbështetjen unanime të demokratëve dhe 12 vota nga republikanët. Dhoma e Përfaqësuesve, duhet ta miratojë atë deri në fund të vitit.
Presidenti Joe Biden u shpreh i kënaqur me këtë vendim: “Shtetet e Bashkuara janë afër riafirmimit të një të vërtete themelore: dashuria është dashuri dhe amerikanët duhet të kenë të drejtën të martohen me personin që duan”.
Megjithëse ligji i miratuar nga Senati i SHBA-së nuk përcakton një detyrim kombëtar për të legalizuar martesat e të njëjtit seks, ai kërkon që martesat e homoseksualëve të njihen nga një shtet në tjetrin.
Ligji u mbështet fuqishëm nga administrata e Biden pas vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA .
Presidenti Biden u duk i kënaqur dhe menjëherë pas rezolutës së Senatit, shpjegoi se si “për miliona amerikanë, ky ligj do të mbrojë të drejtat dhe do të garantojë mbrojtjen për të cilat LGBTQI+ dhe çiftet ndërracore kanë të drejtë dhe gjithashtu do të sigurojë që, për brezat që do të vijnë, të rinjtë LGBTQI+ do të rriten duke e ditur se edhe ata mund të bëjnë jetë të plotë dhe të lumtur dhe të ndërtojnë familjet e tyre.”
Ky ligj shfuqizon Ligjin për Mbrojtjen e Martesës të vitit 1966, që e përkufizon martesën në nivel federal si një akt mes një burri dhe një gruaje. Ligji i ri gjithashtu u kërkon shteteve të njohin martesat e të njëjtit seks dhe mes racave të ndryshme të lidhura në shtete të tjera, megjithëse nuk ua ndalon shteteve të miratojnë ligje që i ndalojnë këto martesa.
“Ky legjislacion i bashkon amerikanët”, tha Senatorja demokrate Tammy Baldwin, një prej propozuesve të ligjit dhe gruaja e parë homoseksuale e deklaruar publikisht që është zgjedhur në Senatin amerikan.
“Me Ligjin e Respektit për Martesën, mund të lehtësojmë frikën që kanë miliona çifte të të njëjtit seks dhe çiftet ndër-racore se liritë dhe të drejtat e tyre mund t’iu hiqen. Ne po garantojmë çiftet e të njëjtit seks dhe ato ndër-racore, se pavarësisht se ku jetojnë, martesa e tyre është e ligjshme dhe se do të vazhdojnë të kenë të drejtat dhe përgjegjësitë që u takojnë të gjitha martesave të tjera”, deklaroi Senatorja Baldwin./ HistoriaIme