Së shpejti Shqipëria do të ketë Këshill Kombëtar për Shoqërinë Civile
Së shpejti do të diskutohet në Kuvend krijimi i Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile. Ligji i ri, rregullon krijimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile, një strukturë këshillimore e autonome pranë qeverisë, e cila do të garantojë bashkëpunimin institucional me organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, në dobi të zgjerimit të demokracisë dhe konsolidimit të qeverisjes së mirë.
Ky projektligj, përputhet me rekomandimin kryesor të BE-së për bashkëpunim midis institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile.
Këshilli Kombëtar i Shoqërisë civile do përbëhet nga 13 përfaqësues të institucioneve publike, 13 përfaqësues të OJF-ve, si dhe një përfaqësues nga komuniteti i biznesit.
Detyrat dhe kompetencat e Këshillit, mes të tjerash, kanë të bëjnë me përcaktimin e politikave shtetërore për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile, si dhe përfshirjen e saj në problematika që lidhen me respektimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, etj.
Po ashtu, KKSHC, këshillon qeverinë për përmirësime legjislative që ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri dhe përfshirjen e saj në vendimmarrjen publike.
Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare