Ditën e sotme po zhvillon punimet Konferenca e Udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, pjesë e procesit të Berlinit, iniciative që synon integrimin e përbashkët dhe të shpejtë të shteteve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian.
Të ftuar në këtë konferencë janë të gjithë udhëheqësit e Ballkanit perëndimor, përfshi dhe ato të Kosovës. Qëllimi kryesor i kësaj konference, është rinisja e dialogut Kosovë-Serbi dhe diskutimi i situatës politike në rajon.
Në prag të zgjedhjeve evropiane, por edhe të vendimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave ose jo me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin qershor, ky samit po konsiderohet si vendimtar për të ardhmen e Ballkanit në vitet në vazhdim.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, do të takohen me liderët e Ballkanit perëndimor dhe në fund të samitit pritet të dalin me një qëndrim të përbashkët mbi Ballkanin.
Konferenca e Ballkanit ka tërhequr fort vëmendjen e shtypit gjerman, ku mjaft gazeta i kushtojnë vëmendje sidomos çështjes së Kosovës, me një qëndrim të qartë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.
Një artikull i përbashkët i tre politikanëve gjermanë, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic (SPD), dhe Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) me titull “Jo ndryshime kufijsh në Ballkan u botua sot nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Aty deputetët e Bundestagut theksojnë se të dy presidentët, ai i Kosovës, Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq kanë propozuar këmbimin e territoreve përgjatë vijës etnike për të zgjidhur konfliktin mes të dy vendeve.
“Ne e refuzojmë këtë propozim, sepse zonat e përcaktuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që mendojnë në kategori racore, e që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme të historisë europiane të pasluftës. Propozimi është antikushtetues dhe vendos pikëpyetje mbi multietnicitetin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë mosndarjen e vendit.”
Ndërsa gazeta tjetër gjermane, Süddeutsche Zeitung nën titullin “Eksperimente shpërthyese”, shkruan se në debatin për një zgjidhje të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë u fut në axhendën e ditës edhe ndryshimi i kufijve, e sipas kësaj qetësia do të vendosej, nëse veriu i Kosovës i banuar me serbë do të bashkohej me Serbinë dhe zonat e banuara me shqiptarë do të shkonin si këmbim tek Kosova. “Por këtu duhet të bien këmbanat e alarmit.” Autori vlerëson qëndrimin e qartë të kancelares Merkel në këtë çështje.
“Është merita e Angela Merkelit që ishte gati e vetmja që që nga fillimi doli kundër kësaj. Sepse kush vë në pyetje kufijtë, ndez sërish fitilin në fuçinë e barutit Ballkan. Ai rrezikon, madje provokon shpërthimin e konflikteve të reja në shtetin e tre etnive, Bosnje-Hercegovinë, deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e fortë shqiptare.
Edhe gazeta Die Welt i kushton vëmendje konferencës së Ballkanit. Nën titullin “Merkel mbron trashëgiminë e saj në Ballkan”, theksohet se kancelarja synon të pengojë ripërcaktimin e kufijve në rajon.
Për Deutsche Welle ka folur dhe njohësi i Ballkanit dhe ish-politikani gjerman, Christian Schwarz-Schilling. Duke bërë një pasqyrim të situatës së përgjithshme të krijuar në kontinent pas revolucioneve të viteve 1990, ai e mbyll intervistën e tij me një thirrje për liderët e shteteve evropiane:
E në fund dua t’i drejtoj një apel urgjent Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron: Futeni në udhën e duhur me vendosmëri dhe forcë veprimi këtë hap të guximshëm – Konferencën për Ballkanin Perëndimor! Kapeni me këtë konferencë shansin tuajin dhe tonin për Europën! Kështu ju jepni për ne në Europë edhe për njerëzit në Ballkanin Perëndimor një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme të sigurtë dhe në paqe!
Burimi: Deutsche Welle