Janë të shqetësuar në masë të konsiderueshme, por rrethanat kërkojnë ndërgjegjësim edhe më të madh!
Këtë tregojnë të dhënat e një ankete online të kryer nga Idrapoll, me një kampion prej mbi 600 qytetarësh të pyetur. Anketa u realizua më datë 19 Mars.
Situata kërkon masa kufizuese të mëdha dhe të panjohura më parë nga qytetarët. Respektimi i këtyre masave varet në radhë të parë nga ndërgjegjësimi që kanë qytetarët për rrezikun e virusit COVID-19. Ndëshkimet dhe gjobat nuk e kanë asnjëherë efektin që ka ndërgjegjësimi, ose edhe nëse japin rezultat, kërkojnë kohë.
Koha është një element të cilën shoqëria në kushtet aktuale nuk e ka.
Kampioni i atyre që janë përgjigjur është 670 qytetarë. Ky kampion është peshuar me parametra demografike (urbanitet, gjini dhe moshë) që të jetë përfaqësues i qytetarëve në moshë 18-54 vjeç. Marzhi i gabimit llogaritet të jetë 3.8%.
Rezultatet tregojnë një “shqetësim” të konsiderueshëm të qytetarëve. Rreth 76% e tyre deklarojnë se janë “të shqetësuar” (36%) ose “shumë të shqetësuar” (40%). Megjithatë mbetet rreth 1 në 4 qytetarë (24% “neutralë” dhe “të pashqetësuar”) të cilët akoma nuk janë bindur për seriozitetin e kësaj situate.
Gratë janë më të shqetësuara sesa burrat për situatën. Rreth 82% e grave janë “të shqetësuara” (45%) ose “shumë të shqetësuara” (37%) krahasuar me 68% të burrave që deklarojnë të njëjtën gjë. Është për t’u nënvizuar fakti se pothuajse 1 në 3 burra (31%) deklaron se nuk është “i shqetësuar” për situatën.
Shqetësimi për situatën
ka mbërritur edhe në zonat rurale ndonëse diçka më pak se në ato urbane. Rreth
72% e atyre që banojnë në zona rurale deklarojnë se janë të shqetësuar
krahasuar me 78% të atyre në zonat urbane.
Me rritjen e moshës se të anketuarëve rritet edhe intensiteti i “shqetësimit”. Rreth 80% e atyre në moshë 44-54 vjeç janë të shqetësuar krahasuar me 70% të atyre në moshë 18-29 vjeç.
Në vijim grafika prezantuese e gjetjeve:

Burimi: Idrapoll