Rikthehet e hëna pushim, kur festat zyrtare bien në fundjavë
Këshilli i Ministrave vendos sërish të kthejë në fuqi vendimin që dita e hënë do të jetë pushim në rast se një festë zyrtare i bie të dielën. Këtë vendim e bëri të ditur zëvendëskryeministri i vendit, Niko Peleshi, në një deklaratë për median.
“Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në respekt të Kodit të Punës, të të drejtës së punonjësve si pjesë themelore e të drejtave të njeriut, kur festat zyrtare bien në ditët e pushimit javor, dita e hënë do të jetë ditë pushimi, duke shfuqizuar në këtë mënyrë, VKM nr.54, datë 3.2.2010.”
Zëvendëskryeministri ka thënë se ky vendim vjen në respekt të komuniteteve fetare, pasi shumë festa zyrtare i përkasin besimeve fetare, por edhe si një stimul i rëndësishëm për turizmin e brendshëm.
Një tjetër vendim që deklaroi ai, ka të bëjë me një projekt të qeverisë ku mendohet të ketë bonuse financiare dhe jo financiare për administratën e shkëlqyer.
“Gjithashtu dua të komunikoj edhe një projekt të qeverisë shqiptare, për të cilin po punohet me intensitet, që do të na japë mundësinë të pajisim me bonuse dhe incentiva, administratorët, nëpunësit dhe punonjësit publikë të shkëlqyer, të cilët spikasin në punën e tyre”– tha Niko Peleshi.
Ky vendim i KM hyn në fuqi duke filluar nga java e ardhshme, kur do të jetë e hëna pas pashkëve.