Pas vizitës së policit të plagosur në Tiranë, Kryeministri Rama përmendi përdorimin e fëmijëve në protestë, sipas tij nga forca të tjera politike në vend. Menjëherë pas tij, deklarata të tilla u përforcuan nga të tjerë përfaqësues të qeverisë dhe Bashkisë Tiranë, dhe nga analistë të vendosur pranë qeverisë.
Deklaratat lënë të nënkuptohet një paralelizëm të shëmtuar midis protestuesve, të miturve protestues dhe Boko Haram, e cila është një organizatë terroriste në Afrikën nën-sahariane. Nga rrëmbimi i vajzave te sulmet me eksploziv në qytete e tregje, aktiviteti i tyre terrorist është i njohur në të gjithë botën dhe i dënueshëm ndërkombëtarisht.
Retorikës së përdorur rëndom ditët e fundit, si pikë shteruese e argumentit pro-qeverisë, së fundmi ju shtua dhe Zëvëndës Kryetarja e Bashkisë Tiranë Anisa Ruseti.
Po aq shqetësues është dhe reagimi i Minstres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjonaj, si ish-aktiviste e mbrojtes së të drejtave të njeriut, shqetësimin më të madh rezulton të ketë mos-dorëheqjen e ish-Ministrit të Brendshëm më 21 Janar 2011, sesa arrestimin e të miturve dhe mos ndjekjen e procedurave ligjore gjatë shoqërimit të tyre nga Policia.
Avokati i Popullit ngriti ditën e djeshme shqetësimin mbi përdorimin jo-proporcional të dhunës. Një shqetësim që nuk u përforcua as nga qeverisja qendrore dhe as ajo lokale, shqetësimi kryesor i të cilëve mbetet pema dhe zbukurimet rreth saj.