Nga Kristi Pinderi
Përfytyroni një moment të tillë sureal: një miku juaj ju gënjen sy ndër sy, teksa ai e di që ju e dini që ai po gënjen! Çfarë ju mbetet juve të bëni?
Ditën e djeshme, zv ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Etjen Xhafaj publikoi përmes një foto-montazhi një deklaratë të kryetarit të opozitës z. Lulzim Basha, të nxjerrë nga konteksti.
Në njërën anë të foto-montazhit, dukej kryeministri Zaev që dëshmonte se kur kishte qënë në opozitë nuk kishte bërë asgjë që t’u jepte institucioneve evropiane përshtypjen se opozita maqedonase ishte kundër integrimit. Ngjitur me Zaevin, në foto-montazh dukej Basha, të cilit i ishin atribuar këto fjalë: “Nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri Europiane! Këtë e kemi thënë prej fillimit ne demokratët, ne opozitarët…”.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në internet, zbulon që Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), e ka botuar të plotë atë fjalim të Bashës. Dhe rezulton, që ai nuk ka thënë ato fjalë ashtu siç ia ishin vënë në gojë në foto-montazhin e shpërndarë dje nga zv/ministri edhe nga pothuajse gjithë anëtarët e qeverisë.
Z. Basha, paskërkish thënë këtë:
“Nuk mund të ketë Shqipëri Europiane pa çuar para drejtësisë ata që vodhën zgjedhjet”.
Tani përfytyroni sikur këtë gënjeshtër t’ua thoshte një miku juaj, siç është në fakt për mua Etjeni. Dhe të mos kishte më asnjë problem nga fakti që ju e dini që ai po gënjen, aq sa të vazhdonte të gënjente…
E vetmja gjë që mund të bëni në një rast të tillë, është që t’i thoni mikut që nuk është mirë të gënjëjë! Apo jo?
Këtë bëra dhe unë dje, mirëpo në vend të merrja një përgjigje nga Etjeni, ai e fshiu atë që i shkruaja, duke më detyruar, për të mirën e tij, të bëj atë që një mik i mirë do bënte në këtë rast: t’ia them përsëri që e ka gabim. Ndaj po ia rishkruaj këtu atë që e fshihu, duke qënë se nga këtu nuk e fshin dot, e për pasojë mund ta rilexojë sa herë të dojë të reflektojë:
I dashur zv. Ministër! Në rastin më të mirë ke harruar diçka. Në rastin më të keq e ke lënë jashtë me qëllim. Në të dyja rastet po gënjen. Dhe nëse gënjen për diçka që mund të verifikohet lehtë, kushedi sa shumë më tepër se gënjeshtra mund të bësh… Pse po vazhdon të gënjesh edhe tani që e di se të gjithë e dinë që po gënjen?