Referendum për martesat homoseksuale në Zvicër

Zvicra do të mbajë një referendum nëse duhet të aprovojë martesën e të njëjtit seks, pasi kundërshtarët e ligjit detyruan qeverinë të mbajë referendumin për një ligj të vitit 2020, që lejon çiftet homoseksuale të martohen.
Parlamenti zviceran miratoi një projekt-ligj që njeh martesat e të njëjtit seks dhjetorin e kaluar.
Të martën, kancelaria federale e vendit njoftoi se kritikët e ligjit kishin mbledhur 61,027 nënshkrime të vlefshme në favor të vendosjes së çështjes në një votim kombëtar, referendum.
Nën sistemin e demokracisë së drejtpërdrejtë të Zvicrës, anëtarët e shoqërisë mund të vënë veton mbi vendimet parlamentare përmes një referendumi, nëse arrijnë të mbledhin 50,000 nënshkrime të vlefshme brenda 100 ditëve nga botimi zyrtar i aktit.
Kancelaria federale do të vendosë në maj një datë për referendumin, i cila nuk pritet të mbahet para shtatorit. Qytetarëve zviceranë u dërgohen zarfe të mbushura me fletë votimi dhe informacione për votuesit rreth katër herë në vit, duke u kërkuar atyre të votojnë në një varg pyetjesh.
Shtysa për referendumin e të njëjtit seks erdhi nga një iniciativë ndër-partiake, duke bërë fushatë me parullën “Po për martesën dhe familjen, jo për martesën për të gjithë”, e cila dënon martesat e të njëjtit seks si “të rreme” dhe argumenton se vetëm një burrë dhe një grua mund të hyjë në një lidhje “natyrore” për jetën.
Operacioni Libero, një lëvizje liberale politike e nisur pas referendumit zviceran të imigracionit në tetor 2014, ka thënë se do të bëjë fushatë për të mbajtur ligjin në vend.
Një peticion i nisur nga Operacioni Libero, duke thënë se “është e rëndësishme që njerëzit në Zvicër të mund të martohen pavarësisht nga orientimi i tyre seksual ose identiteti gjinor”, ka mbledhur 100,000 nënshkrime këtë muaj.
Në një sondazh të nëntorit 2020 nga organizata ombrellë LGBT Pink Cross, 82% e të anketuarve shprehën miratimin e martesave të të njëjtit seks në terma të fortë ose të butë.
Shumica e vendeve të Evropës Perëndimore kanë futur ligje gjatë dy dekadave të fundit që lejojnë çiftet e të njëjtit seks të martohen, me Hollandën që kryeson në vitin 2001. Franca legalizoi bashkimet e të njëjtit seks në 2013, pasuar nga Anglia dhe Uells në 2014, dhe Gjermania në 2017./ HistoriaIme