Reagime të ashpra ndaj sulmit -skandaloz- të kryeministrit Rama

Kreu i qeverisë Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste në një shfaqje “One Man Show” të mërkurën teksa prezantoi kandidatët për deputetë të PS, vuri përballë kandidatët e e kundërshtarëve, konkretisht kandidatët e Partisë Demokratike.
Me një akt të paprecedentë, Rama vuri në monitorin gjigand foto tallëse të firgurave të PD, përfshirë gra.
Pikërisht këto foto, nxitën reagime të shumta, ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi KMD, u ka tërhequr vëmendjen partive politike që të kenë kujdes me gjuhën e përdorur dhe materialet gjatë fushatës zgjedhore.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, edhe në kuadër të Aleancës pa Urrejtje, po monitoron çdo ditë fushatën elektorale të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Ditët e fundit, Institucioni i KMD konstaton me keqardhje një përshkallëzim të retorikës politike, që herë pas herë, kalon kufijtë e gjuhës së urrejtjes dhe etiketimeve denigruese ndaj gruas, minoriteteve.
Sot institucioni i KMD u njoh edhe me një reagim të disa organizata të Shoqërisë civile, të cilat i përshëndet dhe i mbështet në aksionin e tyre për të denoncuar, ndërgjegjësuar dhe promovuar të drejtat e Njeriut në vend.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shënon çdo ditë rastet duke mbajtur një raport të detajuar të ngjarjeve dhe personave të përfshirë.
Institucioni i KMD kërkon nga subjektet politike të vetpërmbahen dhe të mos përdorin gjuhë urrejtje në fushatë, si dhe të respektojnë Rekomandimet publike të ECRI nr.15 mbi gjuhën e urrejtjes, rekomandimin e EQUINET për fushatat zgjedhore dhe rekomandimin e përbashkët KQZ-KMD dërguar partive politike. ‘-thuhet në reagimin e tij KMD.
Ndaj këtyre fotove të kryeministrit, ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta i cili shkruan: “E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma.
Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit.
Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma.”/ HistoriaIme