Kompania GreenTaxi refuzon shërbimin ndaj personave transgjinor
Më datë 26.03.2021, rreth orës 16:45, kompania e shërbimit taxi “GreenTaxi”, përmes një akti të paprecedentë, refuzoi shërbimin ndaj personave transgjinorë në Tiranë, ku punonjësja e centralit pasi u pyet se përse nuk u ofrua shërbimi nga kompania që përfaqëson, u shpreh: “Asnjë nga shoferët nuk e merr. Nuk konceptojnë dot të fusin në makinë persona që janë tranvestitë.”
Aleanca LGBTI dhe Pro LGBT, pas ngjarjes së fundit kërkojnë marrjen e masave nga institucioni i Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ndaj kompanisë GreenTaxi.
Sikundër reflektohet në materialin audio, në incidentin e ndodhur së fundmi në Tiranë, shoferët e taksive të kësaj kompanie dhe punonjësit e centralit, refuzojnë hapur dhënien e shërbimit për persona të komunitetit transgjinor, duke përdorur gjuhë të papranueshme, që përbën një rast të hapur diskriminimi në ofrimin e shërbimit për shkak të identitetit gjinor.
Në përgjigje të këtij incidenti kemi kryer raportimin pranë institucionit publik të pavarur të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD). Në bazë të nenit 1, 2, 4, 5 dhe 7 të Ligjit Nr. 10221, datë 4.2.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, i rikujtojmë kompanisë GreenTaxi dhe çdo subjekti tjetër fizik dhe juridik, qoftë biznes apo ofrues shërbimesh, se të refuzosh ofrimin e shërbimit ndaj çdo individi, për çdo shkak të përmendur nga neni 1 i këtij ligji dhe specifikisht për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor në rastin konkret, përbën shkelje të detyrimeve dhe garancive të Nenit 20, pika 2/f, ku parashikohet se: ‘’Personi fizik ose juridik që ofron të mira apo shërbime për publikun, me pagesë ose jo, ndalohet të diskriminojë një person tjetër, i cili kërkon t’i arrijë ose t’i përdorë ato:…2. Pika 1 e këtij neni zbatohet veçanërisht për: … f) lehtësi për transport ose udhëtim”.
Komuniteti transgjinor është i ekspozuar sistematikisht ndaj dhunës dhe diskriminimit, çka e bën tepër të vështirë marrjen e shërbimeve, si nga strukturat publike, ashtu dhe shërbimet e ofruara nga subjektet private.
Individët transgjinorë janë qytetarë që në bazë të ligjeve në fuqi dhe garancive themelore të çdo shteti demokratik, meritojnë të gëzojnë efektivisht të drejta të barabarta, pa dallim nga pjesa tjetër e shoqërisë. Është e papranueshme që bindjet personale të disa personave apo të një kompanie që funksionon në bazë të legjislacionit kombëtar në fuqi të vendosen përpara të drejtave të garantuara nga korpusi juridik.
Si rrjedhojë, kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme ndaj kompanisë GreenTaxi dhe ftojmë personat e komunitetit që janë përballur me raste të ngjashme diskriminimi të mos heshtin, por t’i raportojnë këto raste pranë organizatave tona ose pranë institucionit të Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.