Paketa e shpërblimeve të fundvitit
Kryeministri Rama ka prezantuar paketën e shpërblimeve për shtresat në nevojë këtë fundvit. Për pensionistët kryefamiljarë është menduar një shpërblim prej 3 mijë lekësh ose 30 dollarë, ndërsa për pjesën tjetër të pensionistëve shpërblimi është 2 mijë lekë ose 20 dollarë.
Një shpërblim të posaçëm do të ketë për veteranët e luftës dhe të përndjekurit e regjimit komunist mbi moshën 65 vjeç. Të dyja këto kategori do të marrin një shpërblim prej 5 mijë lekësh ose 50 dollarësh.
Familjet e policëve të vrarë dhe të gjitha familjet e ushtarakëve me misione jashtë Shqipërisë do të shpërblehen me nga 10 mijë lekë ose 100 dollarë, ndërsa trupa mësimore e 10 shkollave të rankuara të parat në klasifikimin e Maturës Shtetërore do të shpërblehet me nga 40 mijë lekë ose 400 dollarë për çdo mësues. Gjithashtu, do të shpërblehen nxënësit e shkëlqyer në vend dhe studentët e ekselencës me nga 5 mijë lekë ose 50 dollarë.
Shpërblim do të ketë gjithashtu për trupën e tri shërbimeve më të mira shëndetësore në Republikën e Shqipërisë me 40 mijë lekë për secilin ose 400 dollarë. Një shpërblim i rëndësishëm është dhe ai për Njësinë Policore të Qarkullimit të Tiranës, si njësia më e mirë policore, me 40 mijë lekë për individ ose 400 dollarë. Këtë vit do të ketë shpërblim edhe për njësinë e Parkut Kombëtar të Divjakës, me 40 mijë lekë ose 400 dollarë për person.
Lexo më shumë në Gazeta Shqip
Foto të postuara në Flickr nga: RobertP_Berna, Giorgio, Jontal 12